Në Serbi kanë nisur ndryshimet e para pas fitores së listës studentore. Nga largimi i kampit me tenda përpara Presidencës së Serbisë dhe mbulimi i grafiteve me mesazhe urrejtjeje, deri te dorëheqjet, shkarkimet dhe kërkimfaljet në transmetuesit publikë.

Ndërkohë, festivali muzikor Exit ka njoftuar rikthimin në Novi Sad. Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë sjell zhvillimet që kanë shënuar pesë ditët e para të ndryshimeve politike në Serbi, atmosferën që i ka shoqëruar ato dhe reagimet e qytetarëve.

Dorëheqje, shkarkime dhe kërkimfalje në RTS
Në Radio Televizionin e Serbisë (RTS) kanë nisur ndryshimet në drejtimin e transmetuesit publik serb. Fillimisht, drejtoresha e përgjithshme, Manja Gërçiq, shkarkoi kryeredaktoren përgjegjëse të Programit Informativ, Bojana Mllagjenoviq.

Më pas, edhe vetë Gërçiç dha dorëheqje, pas kërkesave të një pjese të punonjësve dhe të lëvizjes studentore. Së shpejti u shkarkuan edhe redaktorë të disa redaksive, përfshirë ata të edicionit qendror të lajmeve të orës 19:30.

Pas këtyre ndryshimeve, RTS-ja u kërkoi falje shikuesve për “gjithçka që ishte lënë pa u raportuar gjatë periudhës së mëparshme”.

Në një mesazh të lexuar nga prezantuesi i lajmeve, kërkimfalja u cilësua si “masa e parë drejt shërimit”, ndërsa u paralajmërua përkushtim ndaj përmbajtjeve programore në interes të publikut.

“Duam ta rikthejmë besimin tuaj”, ishte mesazhi i kolegjiumit të ri redaktues të Programit Informativ të RTS-së. Megjithatë, studentët pjesëmarrës në protesta thanë se nuk e pranojnë kërkimfaljen, por kërkojnë dorëheqje.

Kërkimfalje dhe dorëheqje edhe në RTV

Kërkimfalja e parë nga një transmetues publik erdhi vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Radio Televizioni i Vojvodinës (RTV) kërkoi falje për heshtjen shumëvjeçare ndaj ngjarjeve të rëndësishme, informimin e njëanshëm dhe raportimin jokritik.

“U hesht, u mbyll njëri sy, u informua në mënyrë të njëanshme, u raportua pa kritikë, nuk u shtruan pyetjet e duhura ose nuk u shtruan fare pyetje”, thuhej në kërkimfaljen që u lexua nga prezantuesi i lajmeve.

Drejtori i përgjithshëm, Goran Karaxhiç, dha dorëheqje më 30 tetor. Para tij, dorëheqje kishin dhënë kryeredaktori përgjegjës, Nenad Qaqiq, si dhe redaktoret e Programit të Parë të Radios dhe të redaksisë së internetit të RTV-së.

Nisin kontrollet në prokurori

Një komision i Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë po kontrollon ligjshmërinë e punës së Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, e cila drejtohet nga Nenad Stefanoviç.

Kontrolli po zhvillohet me urdhër të kryeprokurores publike, Zagorka Dollovac.

Sipas njoftimit, po shqyrtohen të gjitha lëndët, me vëmendje të veçantë ndaj atyre që veçohen për nga rrezikshmëria shoqërore e veprës penale, dënimi i paraparë dhe niveli i sekretit.

“Kërkesat e mëparshme për qasje në lëndë për qëllime kontrolli, në shumicën dërrmuese të rasteve, janë injoruar ose refuzuar”, njoftoi Prokuroria e Lartë Publike.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Listës Studentore kërkuan dorëheqjen e kreut të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviç, dhe zëvendësit të tij, Miodrag Markoviç, për shkak të, siç thanë, “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

Lista Studentore kërkon veprim të menjëhershëm në rastin e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, rastin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, komunikimet përmes aplikacionit Sky, aferën Krushik, aksidentin në pikën e pagesës së autostradës në Doljevac, vrasjen e Oliver Ivanoviçit, rrënimet në Savamala dhe rrëzimin e helikopterit ushtarak.

Si Nenad Stefanoviq, ashtu edhe Zagorka Dollovac, janë përballur me kritika nga qarqet profesionale gjatë viteve të fundit.

Arrestohet drejtori i gjimnazit në Novi Sad

Drejtori i gjimnazit “Jovan Jovanoviç Zmaj” në Novi Sad, Radivoje P. Stojkoviç, u arrestua më 28 tetor dhe iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh. Arrestimi erdhi pasi ai kishte refuzuar të zbatonte vendimet e formës së prerë të gjykatës, të cilat e obligonin t’u mundësonte katër profesorëve kthimin në punë.

Pas arrestimit të drejtorit, nxënësit e gjimnazit organizuan një pritje solemne për profesorët e pezulluar, ndërsa kori i shkollës këndoi himnin e saj.

Drejtori kishte refuzuar të rikthente në punë profesorët e pezulluar dhe të larguar, mes të cilëve ishte edhe profesoresha e sociologjisë, Marija Vasiç.

Ajo ishte arrestuar në mars të vitit 2025, nën akuzën për gjoja “rrëzim të rendit kushtetues”, në një proces që nga opinioni publik dhe qarqet opozitare ishte cilësuar si i motivuar politikisht.

Kur shpalli zgjedhjet parlamentare, para se të jepte dorëheqje, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se kishte falur grupin e aktivistëve nga Novi Sadi, përfshirë profesoreshën Vasiq.

Përplasjet mes drejtorit dhe një pjese të profesorëve, prindërve dhe nxënësve, të pakënaqur me vendimet e drejtuesve të shkollës, kishin nisur pas shembjes së strehës në Novi Sad, më 1 nëntor 2024. Si pasojë, nxënësit u detyruan të ndiqnin mësimin në ndërtesat e shkollave të tjera të qytetit.

Festivali Exit rikthehet në Novi Sad
Festivali muzikor Exit do të rikthehet në qytetin ku u themelua. Organizatorët kujtuan se kishin premtuar se festivali do të kthehej kur në Serbi të rikthehej liria.

“Edhe pse rikthimi i madh i Exit-it është planifikuar për vitin 2028, që në korrikun e ardhshëm do të mblidhemi sërish në Kalanë e Petrovaradinit për të festuar lirinë, unitetin dhe dashurinë, me një përvojë të veçantë të Exit-it, të cilën do ta zbulojmë së shpejti”, thanë organizatorët.

Festivali ishte detyruar të largohej nga Novi Sadi dhe Serbia për shkak të mbështetjes që u kishte dhënë studentëve protestues. Pas 25 vjetësh, festivali i këtij viti u mbajt në disa vende të botës, nga Mali i Zi e Malta deri në Egjipt.