Valët e të nxehtit që kanë përfshirë Evropën po favorizojnë përhapjen e zjarreve masive, ndërsa Greqia mbetet një nga vendet më të goditura nga flakët.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, paralajmëroi se situata mbetet tepër e vështirë dhe se ditët e ardhshme pritet të jenë kritike për shkak të kushteve ekstreme të motit që po përjeton vendi.

Sipas tij, erërat e forta, të cilat në disa zona kanë arritur deri në 100 kilometra në orë, po vështirësojnë ndjeshëm punën e forcave zjarrfikëse dhe po pengojnë ngritjen në fluturim të mjeteve ajrore për shuarjen e flakëve.

“Ndonjëherë intensiteti i fenomeneve natyrore tejkalon çdo parashikim dhe çdo kapacitet operacional”, u shpreh Mitsotakis në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.

Ndërkohë, zjarret nuk po prekin vetëm Greqinë. Prej mesit të korrikut, flakë të mëdha janë regjistruar edhe në Spanjë, Francë dhe Portugali, duke detyruar qindra mijëra banorë të largohen nga banesat e tyre për arsye sigurie.

Në Spanjë, autoritetet kanë bërë të ditur se sezoni i këtij viti po rezulton ndër më shkatërruesit e regjistruar ndonjëherë. Sipas statistikave të Bashkimit Evropian, gjatë vitit 2026 janë djegur mbi 200 mijë hektarë sipërfaqe pyjore dhe tokë, një shifër rreth pesë herë më e lartë se mesatarja e viteve të mëparshme për të njëjtën periudhë.

Edhe Franca është përballur me një situatë alarmante. Një nga zjarret më të mëdha, që përfshiu rajonin Gironde, u cilësua nga presidenti Emmanuel Macron si një ngjarje “e paprecedentë”.

Vatra zjarri janë raportuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke dëshmuar se temperaturat e larta dhe thatësira po krijojnë kushte gjithnjë e më të favorshme për përhapjen e flakëve në shumë vende të kontinentit.