Mbi 200 mijë persona dolën në protesta në mbarë Italinë këtë të premte, 3 tetor, duke lënë punën dhe duke marrë pjesë në një grevë të përgjithshme në mbështetje të flotiljes humanitare për Gazën.

Greva shkaktoi bllokime të mëdha në transport dhe shërbime publike, ndërsa demonstruesit dënuan trajtimin e Global Sumud, e cila tentoi të sfidonte bllokadën izraelite në Gaza, ku OKB ka raportuar kushte urie pas gati 2 vitesh lufte.

Greva e thirrur nga sindikatat USB dhe CGIL pasoi protestat e një dite më parë në qytete të mëdha si Milano e Romë, ku mbi 10 mijë persona marshuan nga Koloseu.

Në Romë, protestuesit u mblodhën në sheshin e madh përpara stacionit qendror Termini, duke bllokuar trenat dhe shërbimet urbane. Policia raportoi mbi 80 mijë vetë vetëm në kryeqytet.

Në Milano, ku sipas policisë morën pjesë mbi 80 mijë protestues, rrugët u mbushën me flamuj palestinezë, ndërsa qindra persona tentuan të bllokonin një unazë rrugore, ku policia ndërhyri me gaz lotsjellës.

Sipas organizatorëve, 50 mijë protestues marshuan në Torino, 40 mijë në Gjenovë, ndërsa në Napoli mbi 10 mijë persona bllokuan portin. Edhe në qytete të tjera si Bari, Palermo, Perugia e Cagliari, protestuesit bllokuan stacionet e trenit dhe rrugët kryesore.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini paralajmëroi për “1 milion italianë të bllokuar nëpër stacione”, duke kritikuar ashpër grevën. Në Bolonjë, turma marshoi në autostradën që lidh jugun me verilindjen e vendit, duke shkaktuar kaos në qarkullim.

Politika italiane e ndarë

Liderja e opozitës, Elly Schlein nga Partia Demokratike, e quajti misionin e flotiljes “një veprim që duhet ta kishte bërë Europa” dhe kërkoi embargo armësh ndaj Izraelit si dhe njohjen e plotë të shtetit palestinez.

Kryeministrja Giorgia Meloni, nga ana tjetër, e cilësoi flotiljen “një nismë të rrezikshme e të papërgjegjshme”, duke dënuar po ashtu grevën kombëtare.

Këto deklarata kanë ndezur më shumë zemërimin e protestuesve.

“Ti e quan veten nënë e krishterë italiane, por politikat e tua për Izraelin ofendojnë të krishterët, nënat dhe gjithë italianët që nuk ndihen të përfaqësuar”, tha një protestues 60-vjeçar në Romë.

Greva shpallet e paligjshme

Komisioni i Garancisë së Grevave e shpalli aksionin të paligjshëm, pasi sindikatat nuk kishin dhënë njoftimin ligjor 10-ditor.

“Nuk është një grevë si gjithë të tjerat, ka ndikim emocional të madh dhe duhet trajtuar me kujdes”, tha kreu i Komisionit, Paola Bellocchi, për Corriere della Sera.