Singapore Airlines ofron udhëtimin më të gjatë në botë, një fluturim prej 15.348 kilometrash që lidh Azinë me Amerikën, nga Singapori drejt aeroportit JFK në Nju Jork. Udhëtimi zgjat rreth 20 orë dhe realizohet vetëm me dy klasa shërbimi; Business Class dhe Premium Economy, me 67 dhe 94 ulëse përkatësisht. Nuk ka vende në klasën ekonomike, pasi kompania synon t’u ofrojë pasagjerëve rehati maksimale gjatë një rruge kaq të gjatë.

Një biletë kushton rreth 11 mijë euro, por përfshin dy valixhe mbi 32 kilogramë secila dhe shërbime ekskluzive gjatë fluturimit. Avioni është ndërtuar me strukturë të përforcuar me fibra karboni, çka përmirëson cilësinë e ajrit dhe ul ndjeshëm lodhjen nga diferenca kohore. Kabina ka tavane më të larta, dritare më të mëdha dhe ndriçim inteligjent, të krijuar posaçërisht për të lehtësuar përshtatjen me orarin e ri. Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Goh Choon Phong, kjo është “mënyra më e shpejtë dhe më komode për të udhëtuar midis Nju Jorkut dhe Singaporit”.

Një valë incidentesh të kohëve të fundit ka vënë në qendër të vëmendjes turbulencat gjatë fluturimeve, një fenomen gjithnjë e më i shpeshtë dhe i paparashikueshëm. Uebsajti i parashikimit të turbulencave “Turbli” ka analizuar më shumë se 10,000 shtigje fluturimi, duke përdorur të dhëna nga burime, përfshirë Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike dhe Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar, për të renditur rrugët më të turbullta të planetit.

Në një fluturim Delta nga Salt Lake City në Amsterdam, turbulenca të forta shkaktuan lëndime dhe një ulje emergjente, ndërsa raste të ngjashme janë raportuar në mbarë botën, përfshirë edhe një vdekje tragjike në një fluturim Londër-Singapor. Turbulenca ndodh kur rrjedha e ajrit në atmosferë shqetësohet nga pengesa si malet, stuhitë apo ndryshimet e shpejta të erës me lartësinë. Një ndër format më të rrezikshme është turbulenca në ajër të pastër, e cila ndodh pa ndonjë shenjë vizuale si re apo stuhi, duke e bërë të vështirë për pilotët ta parashikojnë.