Madridi po e përgatit kërkesën, Roma këmbëngul se mund t’ia dalë vetë


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar që Italia dhe Spanja të kërkojnë ndihmë nga Eurozona për të vendosur një kufi për krizën ekonomike të kontinentit, por Roma e ka hedhur poshtë këshillën ndërsa Madridi ka gjasa të aplikojë më vete. Këshilla është dhënë në prag të një Samiti dyditor në Bruksel, ku do të debatohen masat që duhet të merren për krijimin e një mbikëqyrësi bankar të përbashkët si dhe masa të tjera për integrimin më të madh të Eurozonës, përfshirë edhe idenë e Gjermanisë për një komisioner me fuqi të jashtëzakonshme, me fuqinë për të vendosur veto mbi projektbuxhetet kombëtare.


Gjithsesi asnjë vendim nuk pritet të ndërmerret këtë javë dhe nuk është e sigurt se kur Spanja do të njoftojë aplikimin e saj për ndihmë.


Spanja shmangu një rrezik të madh të martën kur “Moody’s” mbajti të pandryshuar vlerësimin e rrezikut të bondeve spanjolle, të cilat aktualisht konsiderohen si mjete të vlefshme për investim. “Moody’s” gjithsesi e mbajti parashikimin “negativ”, duke argumentuar se Madridi do të shkaktojë shumë shpejt futjen në punë të mekanizmit të krijuar nga Banka Qendrore Europiane për të blerë bonde pa limit dhe për të ulur koston e huamarrjes.


Për rrjedhojë, interesat mbi bondet italiane dhe spanjolle ranë ndërsa euro u forcua, duke shënuar ditën më të mirë në një muaj kundrejt dollarit amerikan.


Kryeekonomisti i FMN-së, Olivier Blanchard, i tha një të përditshmeje italiane se Eurozona është pranë krijimit të mekanizmave të nevojshëm për të garantuar aksesin në treg për Spanjën dhe Italinë dhe për ta mbajtur në nivele të përballueshme interesin e borxhit, ndërkohë që zbatojnë reforma ekonomike të dhimbshme.


“Në terma afatshkurtër, është e domosdoshme të kemi një plan për dy vendet e periferisë [së Eurozonës]”, i tha Blanchard gazetës “Corriere della Sera”.


“Ky plan duhet të përfshijë jo vetëm proceset aktuale të axhustimit brenda këtyre vendeve, por edhe garancinë se këto vende do të vijojnë të financojnë veten. Kjo do të jetë e kushtëzuar me faktin që këto vende duhet t’i përmbahen detyrimeve të veta. Ne jemi gati duke dalë, por nuk kemi mbërritur ende në pikën e kthesës”, tha ai.


Zyrtarë të lartë në Spanjë dhe në Bruksel treguan se Madridi po përgatit kërkesën për një linjë krediti paraprake nga Fondi Europian i Shpëtimit, kërkesë që pritet të bëhet në javët e ardhshme dhe që mund të vërë në punë mekanizmin e blerjes së bondeve të BQE-së.


Në anën tjetër, Kryeministri i Italisë, Mario Monti, tha se kërkesa e Spanjës do të jetë e mjaftueshme për të qetësuar tregjet. Ai ka përsëritur vazhdimisht se Roma nuk ka nevojë për ndihmë dhe se mund t’ia dalë vetë. Rezistenca në Gjermani kundër një linje krediti për Spanjën po dobësohet, por besohet se një vendim nuk do të merret para 12 nëntorit. Deri atëherë, problemi tjetër, Greqia, pritet të ketë marrë një drejtim.