Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar Bashkimin Europian se borxhi publik mund të bëhet “shpërthyes” nëse qeveritë nuk marrin masa përballë presioneve në rritje mbi ekonominë. Paralajmërimi u bë gjatë një takimi informal të ministrave të Financave të BE-së në Nikozia, ku FMN prezantoi një raport mbi rrezikun fiskal që po përballet Europa në vitet e ardhshme.
Sipas FMN-së, nëse politikat aktuale vazhdojnë pa ndryshime, borxhi publik mesatar i vendeve europiane mund të arrijë në 130% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2040, gati dyfish nga niveli aktual. Institucioni paralajmëron se qeveritë europiane do të përballen me kosto gjithnjë e më të larta për mbrojtjen, energjinë dhe pensionet gjatë 15 viteve të ardhshme. “Qasja e deritanishme për ta shtyrë situatën nuk po funksionon më”, thuhet në raportin e FMN-së, ku kërkohet një strategji më agresive për të përballuar presionin financiar. FMN propozon reforma strukturore dhe fiskale, rritje të investimeve, reforma të pensioneve dhe rritje të moshës së daljes në pension.
Një tjetër propozim i debatueshëm është rritja e huamarrjes së përbashkët europiane për financimin e sektorëve strategjikë si mbrojtja, energjia dhe inovacioni. Megjithatë, vendet e BE-së mbeten të ndara për këtë ide. Spanja, Italia, Greqia dhe Franca mbështesin borxhin e përbashkët europian, ndërsa Gjermania vijon të kundërshtojë. Komisioneri Europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, deklaroi se Europa po përballet me “nevoja të reja dhe të përhershme shpenzimesh”, ndërsa niveli i lartë i borxhit dhe plakja e popullsisë po e bëjnë situatën edhe më të vështirë.
“Kjo nuk është një problem abstrakt. Është një sfidë reale dhe urgjente për politikën europiane”-, tha ai.
