Presidenti amerikan, Donald Trump ka marrë pjesë përmes një lidhje online në Forumin Ekonomik Botëror, ku pas fjalimit të tij iu është përgjigjur disa pyetjeve të panelit.

Në përgjigje të një pyetjeje nga themeluesi i Grupit Blackstone, Trump ka ndarë disa nga ankesat e tij për Bashkimin Evropian. Kryesisht, ai thotë se tarifat dhe taksat e vendeve janë shumë të larta, rregulloret e Bashkimit Europian janë kufizuese, deficiti tregtar me SHBA-në është shumë i madh dhe se ata kanë çuar kompanitë amerikane si Google në gjyq.

“Ne do të bëjmë diçka për këtë. Po përpiqem të jem konstruktiv, sepse e dua Evropën. Unë i dua vendet e Evropës, por procesi është shumë i rëndë dhe ata i trajtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë, shumë padrejtësisht.”, tha Trump.

I pyetur nëse nën udhëheqjen e tij SHBA do të garantonte furnizimin me gaz në Evropë, presidenti amerikan është përgjigjur pozitivisht.

“Ne do të bënim absolutisht një marrëveshje energjetike me Evropën dhe do ta kalonim atë.”, tha presidenti.Ai theksoi rëndësinë e dërgesave të LNG (gazit natyror të lëngshëm) të Amerikës në BE. Amerika është tashmë një furnizues kryesor i LNG-së për BE-në 27-anëtare dhe roli i saj pritet të rritet edhe më tej.