Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën turistike të Costa del Sol në Spanjë, ku një 25-vjeçare me shtetësi britanike është arrestuar pasi foshnja e saj tetëmuajshe rezultoi pozitive për kokainë. Policia ndërhyri në plazhin Cabopino, pranë Marbellës, pas raportimeve për një zjarr të ndezur në dunat e rërës. Në vendngjarje, efektivët gjetën çiftin duke jetuar në një tendë së bashku me foshnjën, në kushte që sipas autoriteteve konsideroheshin të papërshtatshme dhe shqetësuese për shëndetin e të miturit.

Foshnja u dërgua fillimisht në Qendrën Shëndetësore Las Albarizas për kontroll, pasi oficerët dyshuan për kequshqyerje. Më pas, ai u transferua në Spitalin Costa del Sol, ku analizat zbuluan se ishte nën peshën normale për moshën dhe se në testin e urinës rezultoi prani kokaine.

Gruaja britanike dhe partneri i saj 43-vjeçar me shtetësi spanjolle u ndaluan në komisariatin e Marbellës dhe pritet të dalin para gjykatës me dyer të mbyllura. Nëna dyshohet se kishte munguar në disa takime të planifikuara për kontrollin shëndetësor të fëmijës gjatë muajve të fundit.

Gjithashtu, pranë vendit ku qëndronte çifti u gjet një automjet i pasiguruar dhe me dokumentacion të skaduar. Autoritetet spanjolle pritet të vendosin për masat e mëtejshme ndaj çiftit, ndërsa foshnja është vendosur në kujdes të përkohshëm emergjent deri në një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij.