Një 21-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, është rrëmbyer dhe më pas therur për vdekje, disa ditë pasi ajo zbuloi se do të sillte në jetë një vajzë.
Maria Camila Potosi ishte 8-muajshe shtatzënë kur u zhduk pasi doli nga shtëpia e saj në Cali, Kolumbi. Ishte data 16 korrik kur shkoi për të bërë një kontroll rutinë para lindjes.
“Daily Mail” shkruan se e reja u gjet të hënën e mbështjellë me çarçafë dhe nën batanije, katër milje larg shtëpisë së saj.
Policia e qytetit zbuloi se ajo ishte therur disa herë dhe se fëmija i saj i palindur ishte marrë nga barku dhe mungonte.
Pamjet e kamerave të sigurisë e treguan atë duke u ngjitur në pjesën e pasme të një motoçiklete të drejtuar nga një grua. Këtë të fundit e takoi dy muaj më parë përmes një skeme lokale mbështetjeje për gratë shtatzëna.
Gruaja në fjalë, thuhet se ka ndryshuar dëshminë e saj te hetuesit dhe është ende në qendër të hetimit për vdekjen tragjike të 21-vjeçares.
Ndërkohë policia gjithashtu është ende në kërkim të fëmijës së zhdukur.
Nëna e Potosi-t, Alba Gomez, u ka kërkuar vrasësve të vajzës së saj që t’i kthejnë mbesën, të cilën e quajti Alahia.
“E vetmja gjë që kërkoj me këtë apel dhe me besimin shpresëdhënës që kam, është se foshnja është gjallë. U kërkoj njerëzve që e kanë që t’a kthejnë tek unë”, ka thënë Alba në një intervistë për mediat lokale.




