Një nga mjetet më të rralla detare gjermane të Luftës së Dytë Botërore është zbuluar pas 83 vitesh në fundin e detit Jon. Bëhet fjalë për një anije të vogël luftarake LS 6, që deri më sot konsiderohej e humbur dhe që, sipas të dhënave historike, mund të jetë e vetmja e këtij lloji e ruajtur në botë.
Zbulimi nuk ishte rezultat i rastësisë, por i një kërkimi që kishte nisur prej 13 vitesh. Gjithçka filloi pas analizimit të të dhënave nga arkivat ushtarake gjermane, të cilat zbuluan një zonë të mundshme ku LS 6 kishte humbur në shtator të vitit 1943, gjatë tërheqjes së saj nga Korfuzi drejt Pireut.
Informacioni kaloi te studiuesi i historisë, Giorgos Karelas, i cili në bashkëpunim me zhytës dhe kërkues organizoi një përpjekje shumëvjeçare për gjetjen e mjetit detar.
Hapi vendimtar erdhi kur në fundin e detit u identifikua një objekt në një thellësi rreth 96 metra, në zonën e gjerë detare pranë Prevezës.
“Fakti që mjeti ishte ndërtuar prej alumini për të qenë më i lehtë dhe se ishte fundosur gjatë tërheqjes, më bëri ta konsideroja një objekt jashtëzakonisht interesant për kërkime historike dhe zhytjeje”, u shpreh Karelas, duke shpjeguar arsyen që nxiti kërkimin e gjatë.
Konfirmimi përfundimtar u krye nga ekipi AegeanTec, i cili realizoi një zhytje teknike të vështirë duke përdorur pajisje me qark të mbyllur frymëmarrjeje.
Teksa zhytësit iu afruan fundit të detit, silueta karakteristike e një mjeti të vogël të shpejtë filloi të shfaqej nga errësira e Jonit. LS 6 qëndronte pothuajse në pozicion vertikal mbi fundin ranor dhe ishte ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme, pavarësisht dekadave të kaluara nën ujë.

