Një ngjarje e pazakontë ndodhi në qytetin italian të Galatone, ku një emigrant nga Gana u kap duke u fshehur në një skenë të lindjes së Krishtit për të shmangur arrestimin.

Sipas një postimi të kryebashkiakut të qytetit, Flavio Filoni, 39-vjeçari që kërkohej për një sulm ndaj një nëpunësi publik, ishte vendosur pranë figurave të Magjistarëve, duke u munduar të kalonte pa u vënë re.

Filoni, që në fillim e mori skenën për një veprimtari tradicionale të Krishtlindjeve, e kuptoi më pas se diçka nuk po shkonte kur pa një nga figurat që lëvizi.

Ai u afrua dhe e kuptoi se njeriu i “fshehur” ishte i veshur me rroba shumë moderne, që nuk përputheshin me veshjet biblike të para 2,000 vjetëve.

Kryebashkiaku, pas dyshimeve, iu afrua dhe e pyeti emigrantin se çfarë po bënte, dhe ai u përgjigj se jetonte në grazhd dhe nuk po lëvizte. Pas kësaj, Filoni telefonoi menjëherë policinë, të cilët arrestuan 39-vjeçarin. Policia zbardhi se ai ishte i dënuar me nëntë muaj e 15 ditë burg për sulm ndaj një nëpunësi civil në Bolonjë.