Personi që shihni në foto është 21-vjeçari Artur A., i cili dyshohet se është autori i sulmit tragjik me 10 të vdekur në një gjimnaz në Graz të Austrisë.
I riu, i cili kishte qenë më parë nxënës i kësaj shkolle, hyri në ndërtesë i armatosur me një pistoletë dhe një armë gjahu dhe hapi zjarr drejt nxënësve dhe mësuesve. Sipas autoriteteve, armët ishin me leje, teksa nëntë prej viktimave ishin nxënës të moshës 14 deri 17 vjeç, ndërsa viktima e dhjetë ishte një mësues 58-vjeçar.

Pas aktit makabër, ai u gjet i pajetë në një nga tualetet e shkollës, ku dyshohet se kreu vetëvrasje duke u mbyllur brenda pas përfundimit të sulmit. Mediat austriake kanë publikuar fotografinë e tij, por ende nuk është bërë zyrtare shpallja e mbiemrit. Sipas burimeve jozyrtare, bëhet fjalë për Artur Avetisyan.
Sa i përket familjes së tij, i ati ishte me origjinë armene, ndërsa ai jetonte me nënën e tij, shtetase austriake. Edhe vetë Arturi ishte shtetas austriak dhe banonte në Kalsdorf, në afërsi të Grazit. Ai kishte ndjekur më parë mësimet në shkollën ku ndodhi ngjarja tragjike, por nuk e kishte përfunduar arsimin. Më pas ishte regjistruar si i papunë në zyrën e punësimit.
Policia dhe autoritetet arsimore po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet që çuan në këtë akt të tmerrshëm, teksa dyshohet se e gjitha ka ardhur si hakmarrje pasi 21-vjeçari ka qenë i bullizuar.



