Gazetari investigativ Domagoj Margetiq ka dorëzuar një raport të detajuar në Zyrën e Prokurorit Publik të Milanos, në kuadër të hetimeve që autoritetet italiane po kryejnë mbi të ashtuquajturat “safari njerëzore” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1994). Hetimet lidhen me pretendimet se individë të pasur nga Italia dhe vende të tjera kanë udhëtuar drejt Bosnjës së kohës së luftës për të marrë pjesë në vrasjen e civilëve si formë “gjuetie”.

Në raportin e tij, Margetiq kërkon shqyrtimin e mundësisë së përfshirjes së presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke paraqitur një seri akuzash dhe deklaratash të mbledhura nga burime të ndryshme.

Dokumenti i paraqitur nga Margetiq përfshin 19 pika, të mbështetura – sipas tij – në deklarata publike, intervista, materiale arkivore dhe dëshmi nga periudha e luftës. Mes akuzave kryesore janë:

Pretendime se Aleksandar Vuçiç ka shërbyer si vullnetar i armatosur në Sarajevë në vitet 1992–1993.

Dyshime se ai ka qenë pjesë e një njësie paraushtarake të komanduar nga Slavko Aleksiç, e pozicionuar për muaj të tërë në Varrezat Hebraike të Sarajevës – një zonë që përmendet në raport si vend kyç i “safarive njerëzore”.

Raporti citon deklarata nga Vojislav Šešelj, Zoran Krasić, Mirko Blagojević dhe të tjerë, të cilët kanë pohuar publikisht se Vuçiç ka qenë vullnetar në atë periudhë.

Përmendet një intervistë e vitit 1994 ku Vuçiç, sipas Margetiq, ka pranuar se ka qëndruar “disa kohë” në Varrezat Hebraike.

Raporti i referohet edhe një videoje amatore të vitit 1993, që pretendohet se tregon Vuçiçin me një pushkë snajperi pranë të njëjtës zonë.

Gjithashtu përfshihen dëshmi të ish-zyrtarëve boshnjakë që – sipas gazetarit – e lidhin praninë e Vuçiçit me aktivitetet në atë vijë të frontit.

Autoritetet në Milano po hetojnë rolin e qytetarëve italianë që dyshohet se kanë marrë pjesë në shënjestrimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës. Sipas Margetiq, pozicionet e njësisë së Aleksiçit përkojnë me lokacionet ku dyshohet se janë organizuar “safaritë njerëzore”.

Ai sugjeron gjithashtu se Vuçiç dhe një luftëtar tjetër, Zlatko “Zak” Novakoviç, mund të kenë qenë ndër pak personat në njësi që flisnin gjuhë të huaja, çka sipas tij i vendos ata në kontakt të mundshëm me vizitorë të huaj.

Në mbyllje të dokumentit, Margetiq argumenton se të dhënat e mbledhura prej tij “tregojnë qartë”, sipas interpretimit të tij, se Vuçiç ka qenë i pranishëm në zonat dhe kohën ku dyshohet se janë zhvilluar aktivitetet e paligjshme. Ai pretendon se “do të ishte e pamundur” që ai të mos kishte dijeni për to.