Avishkar Raut, vetëm 16 vjeç, është bërë fytyra e protestave antikorrupsion që kanë përfshirë Nepal-in.
I riu u bë i njohur në mars, kur gjatë një eventi shkollor mbajti fjalimin e fuqishëm “Jai Nepal”, i cili u përhap me shpejtësi dhe u kthye në një thirrje mobilizuese për brezin e ri. Ky moment shënoi fillimin e protestave masive në Kathmandu, ku mijëra të rinj dolën në rrugë duke kërkuar llogaridhënie dhe fundin e korrupsionit.
Pamjet e publikuara tregojnë Avishkarin në krye të turmave, duke udhëhequr me parulla dhe duke frymëzuar bashkëmoshatarët e tij. Situata ka eskaluar ndjeshëm ditët e fundit: kryeministri K. P. Sharma Oli dha dorëheqjen, Parlamenti u sulmua dhe një pjesë e tij u dogj, duke tronditur vendin.
Protestat e drejtuara kryesisht nga brezi Gen Z kanë marrë mbështetje të gjerë, përfshirë edhe shumë figura publike nepaleze.
Avishkar Raut është shembulli se edhe një adoleshent mund të bëhet zë i fuqishëm për ndryshim. Guximi dhe vendosmëria e tij po frymëzojnë të rinjtë në Nepal, duke treguar se mosha nuk është pengesë për të kërkuar drejtësi, transparencë dhe një të ardhme më të ndershme për vendin.