Në rrjetet sociale është publikuar një detaj prekës nga tragjedia ajrore në Indi që tronditi opinionin publik. Vishwashkumar Ramesh, i vetmi pasagjer që i mbijetoi rrëzimit të avionit të Air India, ishte ulur në sediljen me numër 11A – vendi që, ndryshe nga qindra të tjerë, i dha një shans për jetën.

Avioni u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit të enjten, duke u përplasur mbi një ndërtesë konvikti të Kolegjit Mjekësor dhe Spitalit BJ. Në bord ndodheshin 242 persona, shumica e të cilëve humbën jetën në vend. Më tragjikisht, mes viktimave kishte edhe studentë që ndodheshin në ndërtesën ku ra avioni.

“Afërsisht 294 persona kanë vdekur. Këtu përfshihen disa studentë, ndërsa aeroplani u rrëzua mbi ndërtesën ku po qëndronin”, deklaroi për Reuters Vidhi Chaudhary, një oficer i lartë i policisë shtetërore.

Bileta e Vishwashkumarit, tashmë e shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale, shihet si simbol i mbijetesës në një katastrofë të përmasave të mëdha. Autoritetet indiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa vendi është në zi kombëtare.