Vizita e Cristiano Ronaldo-s në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar më shumë bujë se sa vizita e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, edhe pse CR7 ishte pjesë e delegacionit saudit të ftuar nga presidenti Donald Trump.
Gjatë mbrëmjes speciale, Trump e ka vendosur yllin portugez në qendër të vëmendjes, duke i bërë atij elozhe të shumta. Pas darkës, Ronaldo falënderoi presidentin Trump për pritjen e ngrohtë dhe shpërndau disa foto nga takimi që zhvilloi me të, përfshirë një takim në zyrën Ovale.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Ronaldo shkruan: “Faleminderit Z. President për ftesën tuaj dhe për pritjen e ngrohtë që më bëtë, mua dhe bashkëshortes time të ardhshme, Georgina. Çdo kush nga ne ka diçka specifike për të dhënë, unë jam gati të bëj pjesën time, të frymëzoj gjeneratat e reja për të ndërtuar të ardhmen me guxim, përgjegjësi dhe paqe të qëndrueshme.”

Kjo vizitë, që ka tërhequr vëmendjen e mediave, ishte një moment i veçantë për Ronaldo-n, duke e bërë atë pjesë të një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, ku nuk munguan as mesazhet për frymëzimin e rinisë dhe promovimin e vlerave të paqes dhe përgjegjësisë.


