Chris LaCivita, drejtuesi i fushatës elektorale të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, ka publikuar një foto në rrjetet sociale krah presidentit amerikan Donald Trump.
“Gjithçka filloi në Ishullin Parris, shumë kohë më parë,” shkroi LaCivita, duke kujtuar fillimet e bashkëpunimit të tij me Trump. Ishulli Parris është një bazë e njohur trajnimi për rekrutët e marinsave amerikanë.
Chris LaCivita ka qenë drejtuesi i fushatës që çoi Donald Trump në fitoren presidenciale në SHBA dhe aktualisht është angazhuar në drejtimin e fushatës së PD-së në Shqipëri. Ai ka marrë pjesë në disa takime elektorale të kreut të PD-së, Sali Berisha, ku ka mbajtur edhe fjalime.
Në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike, LaCivita deklaroi: “Kush është gati të bëjë Shqipërinë të madhe sërish? Në 2024, në SHBA, socialistët u përpoqën të burgosin Donald Trump. Dështuan. Në 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin të gjithë opozitën dhe do të dështojnë. Pse? Sepse nuk kanë çfarë të thonë për dështimet e 12 viteve të fundit: 12 vite krim, drogë, dhe mbi 1 milion shqiptarë të larguar nga vendi. Janë 12 vjet dështim ekonomik. Përse të votosh për një parti që ka krijuar të gjitha këto probleme? Votoni për doktor Berishën. Jepni vendit tuaj një mundësi dhe shpresë. Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë.”

