Erërat e forta të dimrit kanë shembur muret mbi çadrat e përkohshme në Rripin e Gazës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër personave, mes tyre gra dhe fëmijë. Ngjarja tragjike vjen në një kohë kur kushtet e jetesës janë tejet të rrezikshme për popullsinë palestineze, më shumë se 2 vjet pas bombardimeve shkatërruese izraelite dhe mungesës së ndihmave të mjaftueshme humanitare.

Megjithëse një armëpushim është në fuqi që nga tetori, organizatat humanitare thonë se shumica e palestinezëve nuk kanë strehim të përshtatshëm për t’u mbrojtur nga stuhitë e shpeshta të dimrit.

Muri rreth 8 metra i lartë në një zonë bregdetare të qytetit, vrau tre anëtarë të së njëjtës familje: Mohamed Hamouda, 72 vjeç, mbesën e tij 15-vjeçare dhe nusen e djalit. Të paktën pesë persona të tjerë mbetën të plagosur. Të afërmit nisën të martën heqjen e rrënojave dhe rivendosjen e çadrave të improvizuara për të mbijetuarit.

“Bota na ka lënë të shohim vdekjen në çdo formë të mundshme”, thotë Bassel Hamouda pas varrimit të familjarëve.

“Bombardimet mund të jenë ndalur përkohësisht, por në Gaza kemi përjetuar çdo shkak të imagjinueshëm vdekjeje.”

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare bëri të ditur se po shpërndahen çadra, mbulesa plastike, batanije, rroba, si dhe ndihma ushqimore dhe higjienike në të gjithë Gazën. Megjithatë, organizatat humanitare theksojnë se materialet për strehim janë ende të pamjaftueshme.

Shumica e palestinezëve jetojnë në çadra të improvizuara, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar gjatë luftës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga autoritetet lokale, thotë se mbi 440 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit. Të dhënat e saj për viktimat konsiderohen përgjithësisht të besueshme nga OKB-ja dhe ekspertë të pavarur.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, deklaroi se të paktën 100 fëmijë nën moshën 18 vjeç kanë humbur jetën që nga armëpushimi, si pasojë e veprimeve ushtarake, përfshirë sulme ajrore, dronë dhe zjarr artilerie. Qindra fëmijë të tjerë janë plagosur.

“Edhe pse bombardimet dhe të shtënat janë pakësuar, ato nuk kanë pushuar”, tregon Elder nga Gaza në një lidhje video me OKB-në në Gjenevë.

“Ajo që sot quhet qetësi, në çdo vend tjetër do të konsiderohej krizë.”

Popullsia e Gazës, mbi 2 milionë banorë, po përballet me të ftohtin dhe stuhitë e dimrit mes mungesës së ndihmave dhe strehimit të qëndrueshëm. Ky është dimri i tretë që nga nisja e luftës më 7 tetor 2023, kur militantë palestinezë sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1 200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 71 400 palestinezë janë vrarë që prej nisjes së luftës.