Disa gazetarë palestinezë humbën jetën gjatë sulmit të ushtrisë izraelite ndaj Spitalit Nasser në Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës. Mes tyre ishte Hossam al-Masri, reporter për agjencinë Reuters, i cili po mbulonte sulmin kur transmetimi i drejtpërdrejtë u ndërpre papritur. Viktimat e tjera janë reporteri Moaz Abu Taha, fotoreporteri i Al Jazeera-s Mohammed Salama dhe Mariam Abu Daqa, e cila punonte për media të ndryshme, përfshirë Independent Arabic dhe Associated Press.
Emrat e tyre i bashkohen listës së gjatë të mbi 244 gazetarëve dhe punonjësve të medias të vrarë gjatë bastisjeve izraelite, ndërsa përpiqeshin të raportonin për situatën në Gaza, ku gazetarëve ndërkombëtarë shpesh u ndalohet hyrja.
Reuters njoftoi: “Jemi të tronditur nga lajmi për vdekjen e anëtarit të stafit tonë, Hossam al-Masri, dhe plagosjen e një anëtari tjetër, Hatem Khaled. Po kërkojmë urgjentisht më shumë informacion dhe kemi kërkuar autoriteteve të Gazës dhe Izraelit të ndihmojnë për kujdes mjekësor për Hatem.”

Al Jazeera konfirmoi gjithashtu vdekjen e fotoreporterit të saj Mohammed Salama. Mariam Abu Daqa, 33 vjeç, ishte e njohur për raportimet e saj të vazhdueshme mbi luftën dhe situatën humanitare në Gaza. Ajo kishte një djalë 12-vjeçar, i evakuuar nga Gaza në fillim të konfliktit, dhe kohët e fundit kishte raportuar mbi vështirësitë e mjekëve në shpëtimin e fëmijëve nga uria.


Moaz Abu Taha u raportua gjithashtu i vrarë, ndërsa Ahmad Abu Aziz, reporter për media palestineze dhe ndërkombëtare, mbeti mes të plagosurve.


Unioni i Gazetarëve Palestinezë e dënoi sulmin, duke e quajtur “një masakër të re dhe të tmerrshme kundër shtypit palestinez”. Sindikata tha se sulmi pasqyron qëllimin e qartë të ushtrisë izraelite për të goditur zërin e lirë, kamerën dëshmitare dhe mediat që raportojnë mbi agresionin ndaj Gazës.
Dëshmitë e dhëna nga mediat dhe sindikatat tregojnë një situatë të rrezikshme dhe të tensionuar për gazetarët që raportojnë nga terreni i konfliktit, ku çdo përpjekje për të dhënë informacione për publikun mund të kthehet në rrezik për jetën./La Repubblica
