Një djalë 7-vjeçar është sulmuar për vdekje nga një majmun që familja e tij e mbante prej vitesh, pasi i nguli dhëmbët dhe i shpoi një mushkëri.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në Tajlandë, ku Ekarat Srichan po luante jashtë shtëpisë së tij të shtunën e kaluar, kur kafsha iu hodh papritur sipër dhe e kafshoi në disa pjesë të trupit.

Dëshmitarët kanë deklaruar se, fëmija bërtiti nga dhimbja ndërsa majmuni vazhdoi sulmin, duke e rrëzuar në tokë pavarësisht përpjekjeve të tij për t’u larguar.

Familjarët dhe fqinjët që dëgjuan britmat nxituan drejt vendngjarjes dhe e gjetën 7-vjeçarin të plagosur rëndë, ndërsa majmuni i quajtur Choke kishte ende gjak në gojë. Kafsha ishte e lidhur pranë një strukture bambuje, por litari i gjatë i kishte mundësuar të lëvizte në një hapësirë të konsiderueshme.

“The Sun” shkruan se vogëlushi u transportua me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën. Nëna e tij 27-vjeçare, Daranee Srichan, deklaroi se kafshimet e majmunit i kishin shpuar mushkëritë.

“Mjeku më tha se djali im nuk mund të mbijetonte, sepse kafshimi i majmunit i kishte shpuar mushkëritë dhe kishte prekur një zonë jetike. Nëse nuk do të ishte goditur në atë vend, ai mund të kishte shpëtuar”, tha ajo.

Sipas saj, fillimisht familja mendonte se djali ishte kafshuar vetëm në këmbë, por në spital u konstatua se ai kishte marrë edhe një plagë të rëndë në anën e djathtë të gjoksit.

“Burri im fillimisht tha se Ekkarat ishte kafshuar vetëm në këmbë, por kur e pashë në spital, zbulova se kishte pësuar edhe një kafshim në kafazin e djathtë të kraharorit”, tha nëna, e cila më pas shtoi:

“Nuk do të mbaj më majmunë. Nëse e bëj, djali im tjetër mund të mos mbijetojë”.

Banorët e zonës thanë se majmuni kishte shfaqur sjellje agresive edhe më parë. Ata pretendojnë se kafsha kishte sulmuar më herët një mace endacake që ishte afruar pranë vendit ku mbahej.

Gjyshi i fëmijës tregoi se e kishte shpëtuar majmunin në vitin 2022, pasi e kishte gjetur të braktisur buzë rrugës pa nënën e tij. Megjithatë, ai nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për ta mbajtur ligjërisht si kafshë shtëpiake.

“Në fillim, mendova se mora vendimin e duhur që e shpëtova majmunin. Por tani që kjo ndodhi, e kuptoj se bëra një gabim. Duhet ta lë të shkojë. Nuk do ta mbaj më. Nëse do të mund të kthehesha pas në kohë, nuk do të doja ta rrisja më”, tha gjyshi Jaroon Srichan me shumë keqardhje.

Majmuni ishte mbajtur i lidhur me zinxhir në një pemë, por pas vrasjes së nipit të tij, Jaroon e liroi atë. Policia nisi menjëherë një gjueti për kapjen e kafshës përpara se të vrasë përsëri.

Majmuni ishte arratisur në malet aty pranë dhe policët bënë të mundur kapjen e tij.

Ndërkohë autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike. Gjithashtu kanë deklaruar se gjyshi do të thirret për t’u marrë në pyetje.