Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar publikisht pas qarkullimit të disa fotografive në rrjetet sociale, të cilat i cilëson si të rreme dhe të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale.
Përmes një deklarate, Meloni theksoi se imazhet janë manipuluar dhe po përdoren nga kundërshtarët politikë për të ndërtuar narrativa të pavërteta ndaj saj.
“Ato janë foto të rreme, të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale dhe të paraqitura si reale nga ndonjë opozitar i kujdesshëm,” u shpreh ajo, duke shtuar me ironi se në disa raste imazhet e “përmirësojnë” pamjen e saj.
Megjithatë, sipas kryeministres, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me figurën e saj, por me rrezikun më të gjerë që paraqet fenomeni i deepfake-ve. Ajo paralajmëroi se këto teknologji mund të përdoren lehtësisht për të mashtruar publikun, për të manipuluar opinionin dhe për të dëmtuar individë të ndryshëm.
“Problemi shkon përtej meje. Deepfake-t janë një mjet i rrezikshëm sepse mund të godasin këdo. Unë mund të mbrohem, por shumë të tjerë jo,” theksoi Meloni.
Në fund, ajo bëri thirrje për më shumë kujdes nga qytetarët në konsumimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve online, duke nënvizuar rëndësinë e verifikimit të informacionit përpara se të besohet apo të ndahet.
“Sot më ndodh mua, nesër mund t’i ndodhë kujtdo,” përfundoi ajo.
