Disa foto prekëse janë publikuar nga mediat e huaja, të cilat tregojnë fëmijët rusë të arrestuar për shkak se protestuan kundër pushtimit të Ukrainës nga vendi i tyre.
Imazhet në fjalë u shpërndanë nga një politikan i opozitës ruse dhe vijnë pasi mijëra persona janë arrestuar deri më tani, pasi kanë shprehur kundërshtimin ndaj luftës së presidentit, Vladimir Putin.
Fotografitë tregojnë fëmijë të shkollës fillore në pjesën e pasme të një furgoni policie në Moskë, pasi morën pjesë në protestat kundër luftës. Mediat e huaja shkruajnë se fëmijët u ndalën në momentin që ata shkuan që të vendosnin lule në ambasadën ukrainase të qytetit.
Një vajzë që mbante një kapele jeshile, kishte në duar një pankartë që në të lexohej në rusisht: “Jo luftë”, ku e shoqëronte me flamurin rus dhe atë ukrainas.
Ndërkohë Ilya Yashin që postoi këto imazhe prekëse në “Twitter”, shkroi bashkëngjitur me ta: “Asgjë e pazakontë, vetëm fëmijë në vagona pas një posteri kundër luftës. Kjo është Rusia e Putinit, njerëz. Ju jetoni këtu”.
Pavarësisht nga shtypja e pamëshirshme e Putinit të çdo mospajtimi kundër regjimit të tij, mijëra protestues kundër luftës kanë dalë në rrugë anembanë Rusisë.