Greqia është përfshirë sot nga një grevë e përgjithshme në nderim të 57 viktimave që humbën jetën dy vjet më parë në përplasjen e dy trenave në Tempe. Punonjës të sektorit publik dhe privat kanë ndërprerë punën dhe kanë organizuar protesta masive në të gjitha qytetet e vendit. Sipas mediave greke, sot janë paralajmëruar 244 tubime sindikale në mbarë vendin.

Protestuesit kërkojnë gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për aksidentin tragjik, ku humbën jetën dhjetëra persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Greva ka prekur edhe një pjesë të doganave greke, duke shkaktuar pezullimin e punës në pikat kufitare të Kakavijës, Qafë Botës dhe 3 Urave, nga ora 07:00 deri në 23:00 sipas orës lokale.

Në këto pika kufitare, qarkullimi do të lejohet vetëm për ambulancat dhe mjetet funerale, ndërsa në Kakavijë do të mund të kalojnë edhe këmbësorët.