Kryeministri gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe presidenti francez Emmanuel Macron, kanë lëshuar paralajmërime të ashpra në lidhje me demokracinë globale dhe politikën e jashtme të Donald Trump, duke përshkruar një botë që rrezikon të shndërrohet në një “strofull hajdutësh” në të cilën të fuqishmit ndajnë territorin, tregjet dhe ndikimin.
Në një fjalim, Presidenti gjerman Steinmeier kritikoi ashpër politikën e jashtme amerikane dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos lejojë që rendi botëror të shpërbëhet në një sistem në të cilin “të paskrupulltit marrin atë që duan”. Me tone jashtëzakonisht të ashpra, të cilat duket se i referoheshin veprimeve të tilla si operacioni për kapjen e Presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro, presidenti gjerman deklaroi se demokracia globale ishte nën sulm.
Duke e quajtur aneksimin e Krimesë dhe pushtimin rus të Ukrainës një pikë kthese, ai paralajmëroi se qëndrimi aktual i SHBA-së përbën një përçarje të dytë, po aq të rrezikshme.
“Tani ka një kolaps të vlerave nga partneri ynë më i rëndësishëm, SHBA-të, që ndihmuan në krijimin e këtij rendi botëror”, theksoi ai.
Disa orë më vonë, nga Parisi, Emmanuel Macron denoncoi se Shtetet e Bashkuara po largohen gradualisht nga aleatët dhe po “çlirohen” nga rregullat ndërkombëtare, duke vënë në dukje se një “agresion neokolonial” po dominon gjithnjë e më shumë marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Institucionet ndërkombëtare nuk po funksionojnë mirë. Po ecim në një botë në të cilën fuqitë e mëdha janë të pushtuara nga një etje e qartë për ta ndarë atë midis tyre”, paralajmëroi ai.
Presidenti francez hodhi poshtë kategorikisht “kolonializmin e ri dhe imperializmin e ri”, duke i bërë thirrje G7-ës dhe fuqive të mëdha në zhvillim të vazhdojnë me reforma të thella të qeverisjes globale dhe të OKB-së. Në të njëjtën kohë, ai bëri thirrje për mbrojtjen dhe forcimin e menjëhershëm të rregullave evropiane që rregullojnë veprimet e gjigantëve të teknologjisë, të cilët janë në shënjestër të Uashingtonit.
“Ne duhet të mbrojmë dhe forcojmë ligjet evropiane të DSA-së dhe DMA-së. Komisioni Evropian po përgatit mburojën demokratike evropiane dhe Franca do të vazhdojë të udhëheqë këtë axhendë”, tha ai.



