Franca ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili u shpreh se Europa nuk është në gjendje të mbrohet pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Deklarata e Rutte u bë gjatë një seance në Parlamentin Europian, në përgjigje të një pyetjeje të eurodeputetit francez të ekstremit të djathtë, Pierre-Romain Thionnet, i cili e cilësoi idenë e një ushtrie europiane si anakronike dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat moderne të sigurisë.

Reagimi i Parisit ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, kundërshtoi publikisht qëndrimin e shefit të NATO-s, duke theksuar se europianët janë të aftë dhe duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre. Ai nënvizoi se edhe Shtetet e Bashkuara janë dakord me këtë qasje, duke e quajtur atë “shtylla evropiane e NATO-s”.

Kritikat ndaj Rutte u përforcuan edhe nga zyrtarë të tjerë francezë. Ish-ambasadorja e Francës në NATO, Muriel Domenech, deklaroi në rrjetet sociale se mbështetja e sigurisë europiane vetëm te garancia amerikane është një strategji e vjetruar dhe se dërgon sinjale të gabuara ndaj Rusisë.

Franca nuk është e vetmja që mbështet forcimin e rolit të Europës brenda Aleancës Atlantike. Ministrja franceze e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, tha se realiteti aktual kërkon rritjen e pranisë ushtarake europiane në NATO, duke shtuar se kjo ide, e propozuar prej vitesh nga Franca, tashmë po gjen mbështetje edhe nga vende të tjera, përfshirë Gjermaninë.

Debati vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë transatlantike, pasi Uashingtoni, nën administratën Trump, ka paralajmëruar kufizimin e përfshirjes amerikane në sigurinë europiane. Strategjia e re e mbrojtjes kombëtare të SHBA-së thekson se Europa duhet të marrë iniciativën përballë kërcënimeve dhe se është ekonomikisht dhe ushtarakisht e aftë të mbrohet, veçanërisht ndaj Rusisë.

Ndërkohë, presioni amerikan për rritjen e shpenzimeve ushtarake ka dhënë efekt, pasi vendet europiane kanë rritur ndjeshëm buxhetet e mbrojtjes, me objektivin që shpenzimet të arrijnë deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ministri i Jashtëm francez theksoi se Bashkimi Europian duhet të marrë përgjegjësi të plotë për sigurinë e kontinentit, duke ndërtuar një shtyllë të fortë europiane brenda NATO-s, pa varësi të tepruar nga Shtetet e Bashkuara.