Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpallur sot zyrtarisht njohjen e shtetit të Palestinës nga Franca, gjatë një seance të posaçme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York. Deklarata historike e Macron u shoqërua me duartrokitje dhe u cilësua si një hap vendimtar drejt zgjidhjes me dy shtete.

“Ka ardhur koha,” tha Macron. “Besnik ndaj angazhimit historik të Francës për paqe në Lindjen e Mesme, deklaroj se sot Franca njeh shtetin e Palestinës.” Ai theksoi se ky vendim nuk përbën një mohim të të drejtave të popullit izraelit, por një hap drejt paqes së qëndrueshme.

Presidenti francez vlerësoi se njohja e shtetit palestinez është “zgjidhja e vetme që do t’i lejojë Izraelit të jetojë në paqe” dhe e cilësoi këtë veprim si një “disfatë për Hamasin”. Në fjalimin e tij, ai kritikoi ashpër situatën humanitare në Gaza, duke përmendur zhvendosjen, urinë dhe traumën që po përjetojnë qindra mijëra palestinezë si pasojë e operacioneve ushtarake izraelite.

Macron falënderoi gjithashtu shtetet që së fundmi kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, duke thënë se ata kanë zgjedhur “paqen, përgjegjësinë dhe të ardhmen”.

“Ne duam dy shtete që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri,” përfundoi ai.

Deklarata e Francës pritet të ketë ndikim të madh në zhvillimet diplomatike globale dhe të rrisë presionin mbi vendet e tjera për të marrë një qëndrim të qartë mbi çështjen palestineze.