Presioni mbi financat e Francës po rritet me shpejtësi. Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare franceze ka arritur në 4.94%, niveli më i lartë që nga viti 2002, duke sinjalizuar shqetësim në rritje të investitorëve për borxhin publik dhe situatën politike të vendit.
Norma u rrit nga 4.85% në mbylljen e së mërkurës në 4.94% të enjten, më 1 tetor. Një nivel i ngjashëm ishte regjistruar në vitin 2002, kur yield-i i obligacioneve franceze kishte arritur në 4.91%.
Rritja është edhe më e rëndësishme për shkak të ritmit të saj. Yield-i francez ka shënuar rritjen më të madhe tremujore në gati katër dekada, si dhe rritjen më të fortë mujore që nga viti 2022. Në tregjet globale të obligacioneve, kjo lëvizje është pjesë e një vale më të gjerë shitjesh, por Franca është ndër vendet më të ekspozuara për shkak të nivelit të lartë të borxhit.
Në qendër të shqetësimeve është edhe buxheti i vitit 2027. Qeveria e kryeministrit Sébastien Lecornu po përpiqet të hartojë një plan për reduktimin e deficitit dhe ka deklaruar se synon të realizojë rreth 54 miliardë euro kursime.
Lecornu ka paralajmëruar se tensionet energjetike po shtyjnë normat e interesit lart në shumë vende, ndërsa në rastin e Francës, pasiguria politike përpara zgjedhjeve presidenciale po shton presionin mbi tregjet.
“Sa më shumë interesa të paguajmë, aq më pak burime mbeten për prioritetet e vendit”, ka paralajmëruar ai.
Një tjetër tregues shqetësues është hendeku me Gjermaninë, ekonomia që shërben si pikë reference për tregun evropian të obligacioneve.
