Rreth 380 000 familje në Francë kanë mbetur pa energji elektrike pasi stuhia ”Goretti” përfshiu gjatë natës veriperëndimin e vendit, ku shpejtësia e erës në disa zona arriti deri në 200 kilometra në orë.
Sipas një vlerësimi paraprak të Ministrisë së Brendshme franceze, pavarësisht pemëve të shumta të rrëzuara dhe ndërprerjeve të mëdha, vetëm gjashtë persona u plagosën lehtë.
Në Bretanjë, një rajon gadishullor që shtrihet drejt oqeanit Atlantik, gjatë natës dallgë me lartësi nga 10 deri në 13 metra goditën disa zona bregdetare.
Në veri të Francës, pritej që sot të mos qarkullonin trenat, me pak përjashtime. Shërbimet hekurudhore në Normandi dhe Bretanjë priten të rifillonin pasdite.
Ndërprerje u regjistruan gjithashtu në zonën e Parisit të Madh si edhe në Alsasë dhe Lorenë. Në rajonet Manche dhe Seine-Maritime shkollat mbeten të mbyllura.
