Centrali bërthamor ”Gravelines”, më i madhi në Evropën Perëndimore, është mbyllur plotësisht sot për shkak të një pranie masive të kandilëve të detit në stacionet e pompimit për ujin e përdorur për të ftohur reaktorët e tij, një incident shumë i rrallë ky.
”Njësitë e prodhimit II, III, IV dhe VI u mbyllën automatikisht midis natës së të dielës dhe mëngjesit të së hënës për shkak të kësaj pranie masive dhe të paparashikueshme të kandilëve të detit në fuçitë e filtrit të stacioneve të pompimit”, njoftoi EDF në faqen e saj të internetit.
Sipas Elvire Antajan, një studiuese në Institutin Francez të Kërkimeve për Shfrytëzimin e Detit (IFREMER), disa mijëra kandilë deti hynë në portin e Dunkirkut, ku centrali pompon ujin e tij ftohës.
”Kjo nuk pati ndikim në sigurinë e objekteve, sigurinë e personelit ose mjedisin”, siguroi operatori, duke theksuar se stacionet e pompimit ndodhen në pjesën jobërthamore të centralit.
Prandaj, centrali është mbyllur përkohësisht plotësisht, pasi dy njësitë e tjera të prodhimit, njësitë I dhe V aktualisht janë duke u mirëmbajtur.
”Incidenti ndërpreu prodhimin e energjisë elektrike, por nuk ndikoi në ftohjen e pajisjeve që sigurojnë sigurinë e reaktorit”, theksoi Autoriteti Francez i Sigurisë Bërthamore dhe Mbrojtjes nga Rrezatimi (ASNR).
“Ky rrezik është i njohur dhe centrali ‘Gravelines’ ka procedura në vend për t’u marrë me një fluks të organizmave detarë (kandil deti, alga) që mund të bllokojnë sistemet e tij të filtrimit”, shtoi ASNR.