Mijëra rusë po largohen nga vendi i tyre nga frika e autoriteteve që shpallin ligjin ushtarak apo gjendjen e jashtëzakonshme– një veprim që do të mbyllte kufijtë dhe do të mbyste mospajtimin e brendshëm.

Treni Allegro ndërmjet Helsinkit dhe Shën Petersburgut është rezervuar plotësisht në ditët në vijim. Kompania VR tha se po kërkonte të rriste shërbimin Allegro për të ndihmuar në përmbushjen e kërkesës. “Ne po përpiqemi të shtojmë disa udhëtime në disa ditë javën e ardhshme,” tha Lauri Sipponen i kompanisë së udhëtimeve VR për Yle.

VR tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë kërcënimi sigurie që synonte intinerarin Allegro. “Trenat që shkojnë në drejtim të kundërt [me Rusinë] janë praktikisht bosh. Nga pikëpamja tregtare, kjo nuk është një situatë e mirë për VR, por ne do të përmbushim detyrimin tonë të shërbimit,” tha Sipponen.

Biletat janë në dispozicion vetëm për shtetasit finlandezë dhe rusë. Autobusët që udhëtojnë nga Shën Petersburg në Helsinki, Talin dhe Riga janë gjithashtu plotësisht të rezervuar. Sipas BBC, një rradhë e vazhdueshme e makinave dhe autobusëve rusë raportohet në kufirin Vaalimaa, rreth 200 kilometra në lindje të Helsinkit.

Një fluks i vazhdueshëm makinash ka kaluar ndërkohë përmes pikës kufitare juglindore Vaalimaa, pa rritje të numrit të makinave ruse që përpiqen të kalojnë në Finlandë, sipas Gardës Kufitare Finlandeze.

Rusët që kërkojnë të largohen me avion përballen me një mungesë të madhe fluturimesh pasi vendet perëndimore kanë mbyllur linjat ajrore ruse jashtë hapësirës së tyre ajrore. Linjat ajrore ruse tani po kryejnë fluturime të njëpasnjëshme drejt Turqisë.

Ndërsa pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar një eksod nga vendi, disa qytetarë rusë po luftojnë të kthehen në shtëpi. Një shoqatë ruse e udhëtimeve ka raportuar se rreth 27,000 turistë rusë janë bllokuar në pjesë të ndryshme të botës. Në javët e ardhshme shumë udhëtarë rusë pritet të kthehen në shtëpi nëpërmjet Finlandës.

Finlanda dhe Rusi po kalojnë momente tensioni pas kërcënimeve të Moskës për anëtarësimin e mundshëm të vendit në NATO dhe pas vendimit të aleancës Atlantike për të përfshirë finlandezët në takimet Aleancës.