Në mesin e tensioneve mes dy vendeve anëtare të saj, SHBA-së dhe Danimarkës lidhur me fatin e Groenlandës, NATO-ja nisi zyrtarisht misionin “Roja e Arktikut”, me synimin për të forcuar praninë dhe pozicionin ushtarak të aleancës në rajonin e shumëlakmuar.
Disa diplomatë të aleancës i thanë më herët REL-së se një angazhim i tillë në Arktik mund të shërbente si zgjidhje për të zbutur krizën. Pas një takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, në Davos të Zvicrës muajin e kaluar, u arrit dakordësia që NATO të marrë një rol më të madh në zonën përreth ishullit, me qëllimin të pengohen ndërhyrjet e mundshme nga Kina dhe Rusia, si atje ashtu edhe më gjerë në Arktik.
Rutte vetë deklaroi në Bruksel se për herë të parë të gjitha aktivitetet e NATO-s në Arktik do të vendosen nën një komandë të vetme.
“Aleanca jo vetëm do të shfrytëzojë kapacitetet ekzistuese, por edhe do të identifikojë boshllëqet dhe do t’i plotësojë ato. Ky veprim është i domosdoshëm për shkak të rritjes së aktivitetit rus dhe kinez në rajon“, u shpreh Rutte.
Edhe komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, Alexus Grynkeëich, theksoi se “Roja e Arktikut” dëshmon përkushtimin e aleancës për mbrojtjen e vendeve anëtare dhe për ruajtjen e stabilitetit në një nga zonat më të rëndësishme strategjike dhe njëkohësisht më sfiduese nga pikëpamja mjedisore në botë. Deri tani nuk janë bërë publike detaje lidhur me numrin e vendeve pjesëmarrëse apo nivelin e trupave të angazhuara.
Megjithatë, NATO ka konfirmuar se misioni do të jetë “shumëdimensional”, duke përfshirë operacione në ajër, det dhe tokë. Shtatë nga tetë shtetet e konsideruara “arktike” janë anëtare të NATO-s; ndersa përjashtimi i vetëm është Rusia. Edhe pse aktualisht ne ujërat përreth Groenlandës nuk ka prani te shtuar te anijeve ruse apo kineze, situata mund të ndryshojë me shkrirjen e akullit në Detin Arktik, që pritet të hapë rrugë të reja detare.
