Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër aleatët e NATO-s, duke i cilësuar ata si “frikacakë”.

Në një postim në “Truth social”, Trump deklaroi se vendet anëtare të NATO-s nuk kanë treguar gatishmëri për t’u përfshirë në veprime që do të ndihmonin në sigurimin e kalimit të lirë të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.

Pa SHBA-në, NATO është një tigër prej letre! Ata nuk donin t’i bashkoheshin luftës për të ndaluar një Iran me fuqi bërthamore”-, shkruan Trump.

Ai shtoi më tej se, sipas tij, pas përfundimit të operacioneve ushtarake, aleatët po ankohen për çmimet e larta të naftës, por nuk janë të gatshëm të kontribuojnë në zgjidhjen e situatës.

Tani që lufta është fituar ushtarakisht, me shumë pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që detyrohen të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një manovër e thjeshtë ushtarake që është arsyeja e vetme për çmimet e larta të naftës. Kaq e lehtë për ta ta bëjnë, me kaq pak rrezik. frikacakë dhe ne do ta kujtojmë!”, shkruan ai.

Deklaratat e tij pritet të nxisin debate të reja mbi rolin e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike, veçanërisht në një moment të ndjeshëm për sigurinë energjetike globale.