Një sulm ndaj një mësueseje dyshohet se është parandaluar në kohë në një shkollë në Lamezia Terme, në Itali. Në qendër të ngjarjes është një nxënës 14-vjeçar, i cili sipas hetimeve paraprake po përgatitej të sulmonte me thikë mësuesen e tij të gjuhës italiane.
Rasti është regjistruar në Institutin Gjithëpërfshirës “Nicotera-Costabile”, ndërsa plani i të miturit dyshohet se u zbulua falë komunikimeve të zhvilluara në Telegram. Sipas raportimeve të mediave italiane, mesazhet e shkëmbyera në një grup në këtë platformë vunë në lëvizje karabinierët, të cilët ndërhynë përpara se të ndodhte sulmi.
Nga verifikimet e kryera më pas, autoritetet dyshohet se zbuluan se 14-vjeçari kishte fshehur një thikë në tualetet e shkollës. Hetimet u shtrinë edhe në banesën e familjes së tij, ku efektivët sekuestruan telefonin e nxënësit dhe disa veshje që ai shfaqej duke i mbajtur në fotografi të publikuara në rrjetet sociale.
Autoritetet italiane po tregohen të rezervuara në lidhje me çështjen dhe deri tani janë bërë publike vetëm pak hollësi. Informacionet për rastin u raportuan fillimisht nga media italiane “Gazzetta del Sud”.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë edhe arsyen që mund ta ketë shtyrë adoleshentin drejt planifikimit të sulmit. Sipas të dhënave të deritanishme, një prej pistave lidhet me faktin se nxënësi kishte përsëritur vitin shkollor. Dyshohet se ai nuk e kishte pranuar këtë vendim dhe se pakënaqësia e krijuar mund të ketë qenë në origjinë të planit të tij kundër mësueses.
Ngjarja në Lamezia Terme raportohet vetëm pak ditë pas një tjetër incidenti të rëndë në një shkollë italiane. Në Romë, mësuesja Isabella Marsilio u plagos me thikë nga një nxënës 13-vjeçar, duke rikthyer vëmendjen te episodet e dhunës në ambientet shkollore.
