Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka mirëpritur vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të ftuar homologun rus Vladimir Putin në samitin e ardhshëm të G20-ës, që pritet të zhvillohet në Miami.

Gjatë një takimi në Ottawa me ministren e Jashtme të Kanadasë, Anita Anand, Wadephul tha se pjesëmarrja e Putinit mund të shërbejë si një mundësi për të kuptuar nëse Kremlini është realisht i gatshëm të angazhohet në negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas tij, ftesa e presidentit amerikan mund të shndërrohet në një test për presidentin rus dhe gatishmërinë e tij për të zhvilluar bisedime në mirëbesim.

“Ftesa do të jetë një provë për Vladimir Putinin për të parë nëse ai është i përgatitur të negociojë me mirëbesim”, deklaroi Wadephul.

Kreu i diplomacisë gjermane theksoi se çdo mundësi për të çuar palët drejt tryezës së negociatave duhet të shfrytëzohet. Ai shtoi se Berlini u ka bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve ruse dhe vetë Putinit që të angazhohen në dialog.

Nëse Moska do të tregonte interes real për përfundimin e luftës, sipas Wadephul, takimi mund të shënonte nisjen e negociatave serioze.

Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, tha se ishte befasuar nga vendimi i Trump për të ftuar Putinin në samitin e dhjetorit. Megjithatë, ajo u shpreh kundër idesë së bojkotimit të takimit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së kanaleve të dialogut me Rusinë.

Rusia vijon të jetë anëtare e G20-ës, së bashku me 19 shtete, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan. Putini mori pjesë për herë të fundit fizikisht në një samit të G20-ës në vitin 2019, përpara nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Deri tani, presidenti rus nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për ftesën e Trumpit, e cila u bë publike gjatë kësaj jave.