Një ngjarje tronditëse ka shpërthyer në Korenë e Jugut, pas arrestimit të një gruaje 20-vjeçare, Kim Son Young, e dyshuar për helmimin e disa burrave gjatë muajve të fundit, duke shkaktuar dy viktima dhe duke lënë të tjerë në gjendje kome. Hetimet sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë më i lartë, duke u shtrirë në pesë persona.

Kim, e njohur për pamjen e saj në rrjetet sociale, përdorte blogun personal për të tërhequr ndjekës, shumica e të cilëve ishin burra që e ftonin në takime. Ajo dyshohet se gjatë këtyre takimeve, u jepte burrave pije të përzier me qetësues, të cilat çonin në humbje të ndjenjave dhe, në disa raste, në vdekje. Policia ka zbuluar se ajo kishte kërkuar receta për përgatitjen e helmeve dhe kishte eksperimentuar me ilaçe dhe doza të ndryshme.

Pas arrestimit, hetuesit zbuluan se Kim kishte një diagnozë psikopatike dhe kishte kaluar një test psikologjik me 25 pikë nga 40 të mundshme. Megjithatë, çuditërisht, ajo po merr mbështetje masive nga përdorues të internetit, të cilët kërkojnë lirimin e saj nga burgu. Ky fenomen ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë mes familjeve të viktimave, të cilët akuzojnë autoritetet për vonesë në veprime.

Një ngjarje e parë dyshohet të ketë ndodhur më 29 janar 2026, kur një punonjës hoteli e gjeti një mysafir të vdekur. Policia kishte identifikuar Kim si të dyshuarën që në atë periudhë, por arrestimi i saj u vonua për disa ditë. Incidenti i dytë, më 10 shkurt, çoi në arrestimin e saj. Pas arrestimit, Kim pranoi se kishte përdorur qetësues për të bërë burrat të flinin, por mohoi se kishte pasur qëllime vrasjeje. Fillimisht u akuzua për lëndime të rënda, por më vonë akuzat u rënduan në vrasje.

Një tjetër ngjarje dyshohet të ketë ndodhur në dhjetor 2025, kur ajo i dha të dashurit të saj një pije me qetësues, çka e la atë në koma për dy ditë. Policia është duke hetuar lidhjet e saj dhe mundësinë e rasteve të tjera të ngjashme. Sidoqoftë, numri i ndjekësve të Kim në rrjetet sociale ka pësuar një rritje të madhe, duke arritur në 11,700 ndjekës brenda disa ditësh, çka ka ndikuar edhe më shumë në ndarjen e opinioneve publike lidhur me këtë ngjarje tronditëse.