Përfaqësues të emigrantëve, të pastrehëve dhe të burgosurve, të cilëve Papa argjentinas i ka kushtuar një pjesë të madhe të karrierës së tij kishtare, do të jenë gjithashtu të pranishëm në funeralin e Papa Françeskut të shtunën në mëngjes në Vatikan

Pak para Pashkëve, në fund të fundit, “papa i të varfërve” dha urdhrin për të dhuruar 200 mijë euro nga llogaria e tij personale si Papë për të mbështetur të rinjtë e burgosur në burgjet e të miturve në Romë. Për të mbështetur në veçanti qendrën e vogël të prodhimit të makaronave që ata kanë arritur të krijojnë.

Ndërkohë, në të gjithë zonën përreth Vatikanit vijojnë të vendosen ekrane gjigante, në mënyrë që besimtarët që nuk kanë mundësi të gjejnë një vend në sheshin e Shën Pjetrit, të mund të shikojnë shërbimin e varrimit për Papa Jorge Mario Bergoglio.

Njëkohësisht vijon i pandërprerë pelegrinazhi i besimtarëve në Bazilikën e Shën Pjetrit. Deri në këtë moment, llogaritet se rreth 20 mijë njerëz kanë hyrë në tempull dhe portat e tempullit, duke pasur parasysh pjesëmarrjen masive, do të qëndrojnë të hapura edhe pas mesnate.

Kisha e shekullit të 16-të ku vendosi të varroset Papa Françesku

Papa kishte vendosur të varrosej në kishën e Santa Maria Maggiore, në Romë. Gjatë 12 viteve të tij si papë, ai e vizitonte shpesh kishën. Ai iu lut asaj herët në mëngjesin e 14 marsit 2013, një ditë pasi u bë Papë. Ai kishte shkuar atje për t’u lutur për përfundimin e pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, ndërkohë që izolimi ishte në fuqi, por edhe pas operacioneve abdominale që kishte në 2021 dhe 2023. Ai zgjodhi të njëjtën kishë për t’u lutur përpara çdo udhëtimi të tij jashtë vendit.

Tempulli ndodhet 4 kilometra larg Vatikanit  dhe është një nga katër bazilikat papale në Romë. Tavani me fletë ari i kishës thuhet se është bërë me  ar të sjellë nga Bota e Re nga Christopher Columbus. Brenda kishës është një ikonë e Virgjëreshës Mari, “Salus Populi Romani”. Një vazo me trëndafila të artë, e dhuruar nga Françesku në vitin 2023, qëndron mes shandanëve poshtë figurës. Në të njëjtën kishë ndodhet një statujë e Marisë, si Mbretëresha e Paqes, e porositur nga Papa Benedikti XV në 1918 për t’i kërkuar Zotit t’i japë fund Luftës së Parë Botërore.