Një gjykatë revolucionare në Iran ka dhënë dënimin me vdekje për blogeren 33-vjeçare Marzieh “Sevda” Ebrahimi Shamsabadi, e akuzuar për një sërë veprash që lidhen me sigurinë kombëtare dhe kundërshtimin e autoriteteve të vendit.

Vendimi është marrë nga Dega e Tretë e Gjykatës Revolucionare në Bandar Abbas. Mes akuzave të ngritura ndaj saj përfshihen “korrupsioni në tokë”, fyerja e liderit suprem të Iranit, propaganda kundër sistemit dhe bashkëpunimi i pretenduar me shtete të konsideruara armiqësore nga Teherani.

Rasti është bërë publik nga organizata për të drejtat e njeriut HRANA dhe është raportuar gjithashtu nga Iran International.

Vëmendje të veçantë ka marrë një mesazh i publikuar nga 33-vjeçarja në Instagram përpara se të përfundonte në pranga. Postimi, që rezultoi të ishte i fundit në profilin e saj, shoqërohej me një pëllumb të bardhë dhe një trëndafil të kuq mbi një sfond të zi.

“Nëse një ditë largohem nga kjo botë, dijeni vetëm një gjë – zgjodha rrugën në të cilën besoja”, shkruante ajo.

Ebrahimi Shamsabadi, e cila numëronte rreth 10 mijë ndjekës në Instagram, raportohet se u arrestua në muajin mars. Pas ndalimit, ajo dyshohet se kaloi rreth 20 ditë në izolim dhe, sipas raportimeve, u përball me presion gjatë seancave të marrjes në pyetje.

Një prej elementeve të çështjes lidhet me një fotografi të realizuar nga distanca në një zonë të goditur nga një raketë. Autoritetet iraniane pretendojnë se blogerja e kishte dërguar materialin te një media në gjuhën persiane që operon jashtë territorit të Iranit.

Përveç dënimit kapital, gjykata ka vendosur ndaj saj edhe disa vite burg, konfiskimin e pasurisë dhe kufizime lidhur me përfitimin apo ushtrimin e disa shërbimeve publike dhe shtetërore. Avokati i saj është njoftuar zyrtarisht për vendimin më 23 gusht.

33-vjeçarja ka lindur në Arak dhe është rritur në Teheran, përpara se të zhvendosej në Bandar Abbas. Raportimet për rastin bëjnë të ditur gjithashtu se ajo prej rreth gjashtë vitesh përballet me sklerozën e shumëfishtë.

Gjendja e saj shëndetësore është kthyer në një tjetër burim shqetësimi. Një person në dijeni të situatës i ka thënë HRANA-s se shëndeti i blogeres është përkeqësuar gjatë qëndrimit në burg, duke ngritur pikëpyetje mbi kushtet e paraburgimit dhe kujdesin mjekësor që i është ofruar.

Çështja e Ebrahimi Shamsabadit pritet të ndiqet me vëmendje nga organizatat e të drejtave të njeriut, ndërsa mbi 33-vjeçaren rëndon tashmë një vendim që mund t’i kushtojë jetën.