Vendet e G7 kanë rënë dakord të nxjerrin deri në 100 milionë fuçi naftë nga rezervat e tyre strategjike gjatë katër muajve të ardhshëm, në një përpjekje të koordinuar për të ulur çmimet e larta të energjisë dhe për të lehtësuar presionin mbi tregjet e naftës.
Sipas një deklarate të G7, procesi do të koordinohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), ndërsa një pjesë e konsiderueshme e naftës pritet të vihet në dispozicion gjatë 20 ditëve të para, shkruan BBC.
“Ne do të zbatojmë angazhimet tona me një lëshim të koordinuar përmes IEA-s prej 100 milionë fuçish që do të fillojë menjëherë gjatë katër muajve”, thuhet në deklaratën e grupit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mirëpret vendimin e G7-ës “për të mos vendosur asnjë ndalim eksporti ndaj aleatëve” për produktet energjetike.
“Qytetarët tanë kanë nevojë dhe meritojnë energji të përballueshme”, shkroi ajo në X.
Vendimi vjen në një periudhë kur çmimet e naftës janë rritur dhe tregjet po përballen me shqetësime për furnizimet. Shtetet e G7 kanë qenë nën presionin e Uashingtonit për të përdorur rezervat strategjike si një mënyrë për të rritur furnizimin në treg dhe për të frenuar rritjen e çmimeve.
