Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Francë, ku një pacient 77-vjeçar është viktimë e një gabimi të rëndë mjekësor, pasi mjekët i kanë hequr gabimisht veshkën e shëndetshme, duke e lënë atë me një veshkë të vetme e cila fatkeqësisht është e sëmurë.

Rasti ka ndodhur në muajin korrik të këtij viti në Spitalin Universitar Henri Mondor në Créteil, një periferi e Parisit. Burri, emri i të cilit nuk është bërë publik, po i nënshtrohej një operacioni për heqjen e veshkës së prekur nga kanceri një procedurë e njohur si nefrektomi.

Sipas raportimit të Radio France, gabimi ka ndodhur pavarësisht se pacienti kishte kaluar me sukses të gjitha kontrollet paraprake të sigurisë, përfshirë listën e kontrollit që verifikon anën e trupit për ndërhyrje. Zbulimi i gabimit ndodhi vetëm pasi pacienti u zgjua nga narkoza.

Ndërsa jeta e të moshuarit aktualisht nuk është në rrezik të menjëhershëm, ai tani përballet me pasoja serioze, pasi i duhet të jetojë me një veshkë të vetme që është tashmë e sëmurë. Prognoza e tij është shumë më e keqe krahasuar me rastet normale të kancerit në veshkë, ku heqja e veshkës së prekur mund të japë një shkallë mbijetese pesëvjeçare mbi 90%.

Ky nuk është rasti i vetëm i tillë. Më herët këtë vit në SHBA, një grua 84-vjeçare, Wendy Rappaport, iu nënshtrua një operacioni në një spital të Minesotës, ku gabimisht iu hoq një veshkë e shëndetshme në vend të shpretkës. Si pasojë, ajo tani është e detyruar të bëjë dializë dhe është diagnostikuar me stadin më të avancuar të sëmundjes së veshkave.