Nga nxënësit e shkollave fillore deri te të moshuarit: Polonia po i fton qytetarët e saj të marrin pjesë në trajnime dhe stërvitje ushtarake vullnetare. Programi “Në Gatishmëri” përfshin nga trajnime se si të mbijetosh deri te mbrojtja nga sulmet kibernetike. Vetëm këtë vit pritet të trajnohen 20,000 vetë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Varshavë. Deri në vitin 2026 ky numër pritet të arrijë në 400,000.
Ky është programi më i madh stërvitor ushtarak në historinë e Polonisë. Arsyeja është qëndrimi i Rusisë, të cilën Polonia e sheh gjithnjë e më shumë si kërcënim.
Faza pilot e projektit fillon më 22 nëntor, tha Ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz në Varshavë. “Po jetojmë në kohët më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Në vendin fqinjë, në Ukrainë, po zhvillohet luftë, ka akte sabotimi në Detin Baltik dhe beteja në hapësirën kibernetike”, tha Kosiniak-Kamysz. Këto janë edhe arsyet pse po zhvillohet ky program.
Rezervim përmes aplikacionit
Programi u drejtohet “të gjithë qytetarëve polakë që dëshirojnë të marrin pjesë”: fëmijë, punëtorë, pensionistë – me fjalë të tjera, civilë polakë të pothuajse të gjitha grupmoshave. Vullnetarët do të trajnohen si individualisht ashtu edhe në grupe.
Programi përbëhet nga katër module: njohuri bazë për temën e sigurisë, aftësitë për të mbijetuar, ndihma e parë dhe siguria kibernetike. Sesionet e trajnimit zhvillohen gjatë fundjavave, dhe secili modul zakonisht zgjat një ditë.
Ministria e Digjitalizimit njoftoi se qytetarët e interesuar mund të regjistrohen përmes aplikacionit të administratës shtetërore “mObywatel”.
E kërcënuar nga Rusia
Gjatë prezantimit të programit “Në Gatishmëri” zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezaryk Tomczyk, bëri të qartë se qëllimi i tij është “të forcojë aftësitë mbrojtëse kombëtare dhe rezistencën shoqërore” për shkak të luftës në Ukrainë, e cila po vazhdon prej më shumë se tre vjet e gjysmë.
Sipas sqarimeve të tij kurset dhe stërvitjet në kuadër të programit “Në gatishmëri” nuk janë të barabarta me shërbimin në ushtri; në fund t tyre nuk bëhet betim apo regjistrim në listën e rezervistëve.
