Autoritetet italiane kanë arrestuar një 17-vjeçare, e dyshuar se ishte përfshirë në ambiente ekstremiste islamike dhe se po përgatitej për veprime terroriste.

E mitura, me shtetësi italiane, u ndalua më 17 korrik nga policia në qytetin e Pavias, në veri të Italisë. Pas arrestimit, ajo u transferua në një komunitet të posaçëm për të mitur, në përputhje me procedurat ligjore.

Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, 17-vjeçarja kishte krijuar disa profile në platforma online dhe në grupe të mbyllura, ku hyrja bëhej vetëm përmes ftesave. Këto hapësira dyshohet se ishin të lidhura me qarqe të propagandës xhihadiste.

Hetuesit pretendojnë se në këto platforma shpërndaheshin materiale propagandistike të organizatës terroriste ISIS dhe përmbajtje që nxisnin dhunën në emër të ideologjisë së Shtetit Islamik.

Gjatë kontrollit të komunikimeve të saj online, autoritetet sekuestruan edhe biseda të shkruara, ku sipas hetuesve e mitura shprehte gatishmëri për përfshirje në një sulm terrorist.

Hetimi vijon për të përcaktuar nivelin e përfshirjes së saj, kontaktet e mundshme me persona të tjerë dhe nëse kishte një plan konkret për kryerjen e ndonjë akti kriminal.