Izraeli është i gatshëm të zhvendosë banorët palestinezë nga Rripi i Gazës, nëse Shtetet e Bashkuara japin miratimin për një plan të tillë. Deklarata është bërë nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se qeveria është përgatitur për transportimin e palestinezëve “nga deti dhe ajri”.
Sipas Katz, një zgjidhje për situatën në Gaza nuk mund të arrihet pa largimin e një pjese të popullsisë nga enklava. Ministri izraelit pretendoi gjithashtu se shumica e banorëve të Gazës dëshirojnë të largohen, por se Hamasi i pengon. Ai nuk paraqiti prova për këtë pretendim.
Mediat e huaja raportojnë se, Katz ka thënë se ideja e propozuar më herët nga presidenti amerikan Donald Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza nuk është braktisur, por është vendosur në pritje për shkak të kundërshtimit nga vendet arabe. Sipas tij, plani vazhdon të diskutohet.
Trump kishte propozuar vitin e kaluar zhvendosjen e rreth dy milionë palestinezëve nga Gaza drejt vendeve të tjera, përfshirë Egjiptin dhe Jordaninë. Propozimi u përball me kundërshtime të forta ndërkombëtare. Katz theksoi se Izraelit i nevojitet mbështetja e SHBA-së për zbatimin e një plani të tillë dhe se miratimi amerikan mund të lidhet me ecurinë e negociatave të paqes dhe përmbushjen e detyrimeve nga Hamasi.
Ndërkohë, ideja e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza ka shkaktuar reagime të ashpra, ndërsa zhvendosja e detyruar e civilëve konsiderohet krim lufte sipas së drejtës ndërkombëtare. Lufta në Gaza ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare dhe zhvendosje masive të popullsisë. Konflikti nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ndërsa ofensiva izraelite në enklavë ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze.
