Një ndarje ‘de facto’ e Gazës midis një zone të kontrolluar nga Izraeli dhe një tjetre të sunduar nga Hamasi është gjithnjë e më e mundshme.

Gjashtë zyrtarë evropianë të njohur me përpjekjet për të zbatuar fazën tjetër të planit, i thanë Reuters se procesi ka ngecur dhe se tani duket e mundshme që rindërtimi të kufizohet në zonën e kontrolluar nga Izraeli. Kjo mund të çojë në ruajtjen e ndarjes territoriale për shumë vite. Sipas fazës së parë të planit Trump, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, forcat ushtarake izraelite kontrollojnë 53% të enklavës palestineze. Kjo përfshin pjesën më të madhe të tokës së punueshme, Rafah në sektorin jugor, pjesë të Qytetit të Gazës dhe zona të tjera urbane.

Pothuajse të gjithë dy milionë banorët e Rripit të Gazës janë të ngjeshur në kampe dhe qytete të rrënuara në enklavën e mbetur, e cila është nën kontrollin e Hamasit. Pamjet e dronit të marra nga Reuters disa ditë më parë tregojnë shkatërrimin biblik në Qytetin e Gazës pas sulmit të fundit të Izraelit para se të zbatohej armëpushimi, pas muajsh bombardimesh.

Faza tjetër e planit parashikon një tërheqje të mëtejshme të forcave ushtarake izraelite përtej vijës së verdhë të përcaktuar nga plani i Trump, së bashku me krijimin e një administrate kalimtare për të marrë përsipër qeverisjen e Gazës, vendosjen e një force shumëkombëshe të cilës ushtria izraelite do t’i dorëzonte sigurinë, çarmatimin e Hamasit dhe fillimin e rindërtimit.

Por plani i Trump nuk ofron një afat kohor apo mekanizma për zbatimin e tij. Në të njëjtën kohë, Hamasi refuzon të çarmatoset, Izraeli hedh poshtë çdo pjesëmarrje të Autoritetit Palestinez në qeverisjen e enklavës dhe pasiguria mbizotëron mbi formimin e forcës shumëkombëshe.

“Ne ende po punojmë mbi idetë. Të gjithë duan që lufta të mbarojë, të gjithë ne këtu duam të njëjtin rezultat. Pyetja është se si do të zbatohet”, tha Ministri i Jashtëm jordanez Ayman Safadi në konferencën e sigurisë në Manama.

Pa një shtytje të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara për të thyer bllokimin, vija e verdhë duket se do të bëhet kufiri de facto që ndan Gazën për një kohë të pacaktuar, sipas 18 burimeve, përfshirë gjashtë zyrtarë evropianë dhe një ish-zyrtar amerikan të njohur me bisedimet.

Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do t’i jepte forcës ushtarake shumëkombëshe dhe administratës kalimtare një mandat dyvjeçar. Por 10 diplomatë thanë se qeveritë mbeten të hezituara për të vendosur trupa. Vendet evropiane dhe arabe në veçanti nuk ka gjasa të marrin pjesë nëse përgjegjësitë shtrihen përtej paqeruajtjes në konflikt të drejtpërdrejtë me Hamasin dhe grupet e tjera palestineze, thanë burimet.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, thanë muajin e kaluar se fondet e rindërtimit së shpejti do të fillojnë të rrjedhin në zonën e kontrolluar nga Izraeli, edhe nëse faza tjetër e planit nuk materializohet. Ideja qendrore është të krijohen zona model ku disa banorë të Gazës mund të jetojnë.

Propozime të tilla që vijnë nga Shtetet e Bashkuara sugjerojnë se fragmentimi i peizazhit po evoluon në diçka shumë më afatgjatë, tha Michael Wahid, drejtor i programit të Shteteve të Bashkuara në grupin e ekspertëve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ndërsa ishte bërë përparim i jashtëzakonshëm në avancimin e planit të Trump, kishte shumë punë për t’u bërë, por ai nuk iu përgjigj pyetjeve nëse rindërtimi do të kufizohej në zonën e kontrolluar nga Izraeli.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli nuk ka ndërmend të rimarrë ose të qeverisë Gazën, edhe pse ministrat e kabinetit të tij të ekstremit të djathtë kanë bërë thirrje për zhvendosjen e vendbanimeve hebraike të çmontuara në vitin 2005 nën kryeministrin Ariel Sharon. Ushtria izraelite gjithashtu i ka rezistuar thirrjeve për pushtim të përhershëm të Rripit të Gazës ose mbikëqyrje të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Gazës.

Netanyahu ka mbështetur mbajtjen e një zone tampon brenda Rripit të Gazës përgjatë kufirit për të parandaluar një përsëritje të sulmit të Hamasit të tetorit 2023 që shkaktoi Luftën e Gazës. Forcat izraelite kanë vendosur blloqe betoni të verdhë për të shënuar vijën e tërheqjes dhe po ndërtojnë infrastrukturë brenda zonës nën kontrollin ushtarak izraelit. Në Qytetin e Gazës, ushtria izraelite organizoi një vizitë për gazetarët në një pozicion të fortifikuar të ndërtuar pas zbatimit të armëpushimit.

Atje, tregojnë imazhet satelitore, ekskavatorët kanë grumbulluar dhe rrënoja për të formuar kodra të larta mbrojtëse për ushtarët. Zona e pastruar është shtruar me asfalt. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani, tha se ushtarët ishin atje për të parandaluar kalimin e personave të armatosur në zonën e kontrolluar nga Izraeli, duke shtuar se do të kishte një tërheqje izraelite sapo Hamasi të përmbushte kushtet e marrëveshjes, duke përfshirë çarmatosjen dhe një forcë ndërkombëtare sigurie në zonë.

Hamasi ka liruar 20 pengjet e fundit të gjallë që mbaheshin në Gaza dhe ka dorëzuar mbetjet e 24 pengjeve të vdekur si pjesë e fazës së parë të planit. Mbetjet e katër pengjeve të tjera mbeten në Gaza. Hamasi forcoi pozicionin e tij në zonat palestineze të qytetit të Gazës.

Vendet evropiane dhe arabe duan që Autoriteti Palestinez dhe policia e tij të kthehen në Gaza me forcën shumëkombëshe dhe të marrin pushtetin nga Hamasi. Mijëra personel i Autoritetit Palestinez të trajnuar në Egjipt dhe Jordani janë gati të vendosen në Gaza, por Izraeli është kundër çdo përfshirjeje të Autoritetit Palestinez.