Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ashpër ndaj një raporti të fundit të Kombeve të Bashkuara, i cili shpall gjendje urie në Gaza dhe fajëson pengesat sistematike të Izraelit për përkeqësimin e situatës humanitare.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij, Netanyahu e cilësoi raportin si “gënjeshtër” duke shtuar se kjo nuk është bpolitika që Izraeli ka zgjedhur. Ai akuzoi edhe Hamasin për manipulim dhe keqpërdorim të ndihmave humanitare.

“Një gënjeshtër të hapur. Izraeli nuk ka një politikë për zinë e bukës, përkundrazi, Izraeli ka një politikë për parandalimin e zisë së bukës. Të vetmit që vdesin qëllimisht nga uria në Gaza janë pengjet izraelite që mbahen nga Hamasi.”- tha ai.

Në raportin e lëshuar sot, OKB-ja shpalli zyrtarisht zi buke në Rripin e Gazës, duke theksuar se situata mund të ishte shmangur.

“Mund të ishte shmangur po të mos kishte pasur pengim sistematik nga ana e Izraelit në dërgimin e ndihmave jetike.”– thuhej në raport.

Por Zyra e Kryeministrit izraelit e kundërshtoi këtë vlerësim, duke theksuar se raporti injoron përpjekjet humanitare të Izraelit dhe se mungesat ishin të përkohshme, të shkaktuara nga vjedhjet sistematike të ndihmave nga Hamasi.