Korrespondenti i “New York Times” në Florida ka zbardhur detaje nga një bisedë telefonike të zhvilluar me Presidentin amerikan Donald Trump, vetëm pak minuta pasi ky i fundit njoftoi publikisht për sulmin ndaj Venezuelës.
Sipas gazetarit, ishte rreth orës 4:30 të mëngjesit të së shtunës kur ai kontaktoi Trumpin, rreth 10 minuta pasi presidenti kishte deklaruar në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kishin kapur Nicolás Maduron. Trump iu përgjigj telefonatës pas disa thirrjesh dhe pranoi të komentonte shkurt mbi zhvillimet.
Gazetari e përshkruan Trumpin si të lodhur, por të kënaqur me rezultatin e operacionit. Presidenti amerikan vlerësoi misionin duke theksuar se ai ishte fryt i një planifikimi të kujdesshëm dhe i një angazhimi të jashtëzakonshëm të trupave amerikane, të cilat i cilësoi si “të shkëlqyera” dhe operacionin si “brilant”.
I pyetur nëse ishte marrë miratimi i Kongresit përpara ndërhyrjes ushtarake, Trump u shmang nga një përgjigje konkrete, duke deklaruar se çështja do të diskutohej më vonë dhe se do të mbahej një konferencë për shtyp.
Presidenti bëri të ditur se do t’u drejtohej mediave në orën 11:00 nga Mar-a-Lago, rezidenca dhe klubi i tij privat, ku ka qëndruar gjatë dy javëve të fundit. Ai refuzoi të japë më shumë detaje mbi hapat e ardhshëm në Venezuelë, duke përsëritur se të gjitha sqarimet do të jepen në deklaratën zyrtare.
Telefonata mes Trumpit dhe gazetarit zgjati më pak se një minutë, por konfirmoi se Uashingtoni po përgatitet për një komunikim të zgjeruar mbi një nga operacionet më të ndjeshme të kohëve të fundit.
