Gazetari polak Rafal Zalewski e kuptoi se Anna Podedworna po fshehte diçka kur ai udhëtoi për ta intervistuar në Derby.

Prokurorët e vlerësuan atë dhe punën e tij, duke e konsideruar “pikën e kthesës” që çoi Podedworna-n t’i dërgonte një email Policisë së Derbyshire, duke u treguar ku të gjenin trupin e partneres së saj, Izabela Zablocka.

Podedworna , një “kasape profesioniste”, vrau Izabelën në shtëpinë e tyre në Derby në vitin 2010, e preu në dy pjesë dhe e varrosi në kopsht. Ajo u shpall fajtore për vrasje të martën dhe të mërkurën iu dha dënimi me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 21 vitesh.

Duke folur për BBC, Zalewski tha: “Ajo ishte shumë e befasuar dhe e nervozuar gjatë asaj bisede.”

Gjatë gjyqit të zhvilluar në Gjykatën e Kurorës në Derby, jurisë iu tha se dy gratë kishin ardhur së bashku nga Polonia në Mbretërinë e Bashkuar për punë dhe jetonin në zonën Normanton të qytetit.
Prokuroria tha se Izabela, 30 vjeç, telefonoi nënën e saj në Poloni më 28 gusht 2010 dhe që prej asaj dite, nuk u dëgjua më kurrë prej saj.

Prokurori Gordon Aspden KC tha se menjëherë pas kësaj telefonate, Izabela u vra nga Podedworna, e cila “e copëtoi trupin e saj duke e prerë më dysh me një thikë të madhe”.

Policia zbuloi se Podedworna, 40 vjeç, kishte punuar më parë si “kasape profesioniste”, puna e saj përfshinte “heqjen e kockave dhe ndarjen e mishit të gjelit të detit me thikë të madhe”.
Gjykata dëgjoi se trupi u varros në kopshtin e pasmë, mbi të cilin më pas u hodh beton.

Zalewski, reporter për Polsat (një nga kanalet më të ndjekura në Poloni) mori një mesazh nga vajza e Izabela-s, Katarzyna (Kasia), duke i kërkuar të hetonte zhdukjen e saj.

Në vitin 2024, ajo kontaktoi organizatën polake Missing for Years, e cila iu drejtua Podedworna-s përmes Facebook-ut.

Podedworna pretendoi se nuk e dinte ku ishte Izabela dhe se nuk kishte dijeni për fatin e saj.


Një vit më vonë, në maj 2025, Zalewski kërkoi një intervistë me Podedworna-n dhe fluturoi në Derby për ta sfiduar në derën e shtëpisë së saj në Boyer Street, për programin e çështjeve sociale Interwencja.
Megjithëse e dinte saktësisht ku ishte Izabela, Podedworna mohoi çdo dijeni.
Por Zalewski e ndjeu se diçka nuk shkonte. “Ajo ishte personi që nga fillimi familja e Izabelës e kishte përmendur si dikë që mund të kishte lidhje apo të dinte diçka për zhdukjen misterioze,” tha ai.

Pas asaj interviste, Podedworna e kuptoi se koha e saj kishte mbaruar. Prokuroria tha se presioni i vazhdueshëm e bëri të thyhej, pas 15 vitesh.

Më 15 maj 2025, pas kontaktit me Zalewski-n, ajo i dërgoi email Policisë së Derbyshire për Izabela-n. Fillimisht policia nuk e kuptoi për çfarë bëhej fjalë, pasi emaili erdhi krejt papritur.
Pas disa ditësh shkëmbimesh, më 24 maj, Podedworna u tregoi hetuesve se Izabela ishte e varrosur në kopshtin e një shtëpie në Princes Street, Normanton.
Po atë ditë, ajo shkoi në stacionin e policisë Pear Tree në Derby dhe pranoi se e kishte vrarë Izabelën.

Ajo pretendoi se Izabela kishte vdekur “rastësisht” gjatë një përplasjeje të dhunshme mes tyre dhe se kishte vepruar vetëm në vetëmbrojtje. Por juria e hodhi poshtë këtë mbrojtje.

Zalewski tha se vrasësja i kishte thënë familjes së Izabela-s “shumë gënjeshtra”. “E dija që po fshihte diçka, që mund të dinte më shumë se çfarë po na tregonte. Kjo u konfirmua nga mënyra se si u duk e nervozuar kur i shkova në derë. Tani e dimë se menjëherë pas asaj bisede me mua, ajo shkoi te policia dhe tregoi ku ishin mbetjet e Izabela-s. Tani e dimë si u trajtua Izabela pas vdekjes, thjesht diçka monstruoze dhe makabre.”

Policia ka vlerësuar gjithashtu veprimet e vajzës së Izabela-s, e cila nuk hoqi dorë nga kërkimi për nënën e saj.