Radioja ruse, “Ekho Moskvy”, thotë se gazetarja e saj e njohur, Tatyana Felgengauer, e cila dje ishte plagosur me thikë në qafë nga një person i paidentifikuar, është bërë operacion dhe transferuar në njësinë e kujdesit intensiv në një spital të Moskës.


Ajo dje ishte dërguar në spital pasi ishte sulmuar në zyrat e radios në Moskë.


Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlimnit, Dmitry Peskov, sot ka hedhur poshtë sugjerimet se mund të ketë lidhje ndërmjet sulmuesit dhe zyrtarëve të presidencës së Rusisë.


Peskov për këtë sulm me thikë e ka fajësuar autorin e mundshëm, duke e cilësuar si një “njeri të çmendur”.


“Aksionet e njeriut të çmendur janë aksione të njeriut të çmendur”, tha Peskov dhe ka shtuar se “përpjekja për ta ndërlidhur atë me diçka tjetër është absolutisht e gabueshme dhe jologjike”.


Komiteti hetues i Rusisë e ka identifikuar sulmuesin me emrin, Boris Grits, 48 vjeçar, shtetas i Rusisë dhe Izraelit. Këtij personi i është caktuar paraburgimi deri më 23 dhjetor.


24 tetor 2017 (gazeta-Shqip.com)