Gazetarja dhe fotoreporterja kanadeze Valerie Zink ka njoftuar dorëheqjen nga agjencia e lajmeve Reuters pas tetë vitesh bashkëpunimi, duke deklaruar se nuk mund të punojë më për një organizatë që, sipas saj, “justifikon dhe mundëson vrasjen sistematike të gazetarëve nga Izraeli në Gaza”.

Zink, punimet e së cilës janë botuar edhe në The New York Times e Al Jazeera, tha se mënyra e raportimit të Reuters për luftën në Gaza ka kontribuar në klimën e rrezikshme ku që nga tetori 2023 janë vrarë 246 gazetarë.

Ajo solli si shembull rastin e Anas al-Sharif, fitues i çmimit Pulitzer, i cili u vra së bashku me ekipin e tij më 10 gusht, ndërsa akuzoi Reuters se zgjodhi të publikojë pretendimin e pabazuar të Izraelit se ai ishte pjesë e Hamasit.

Zink reagoi edhe për vrasjen e kameramanit të Reuters, Hussam al-Masri, gjatë një sulmi izraelit në spitalin Nasser, duke thënë se mediat perëndimore mbajnë përgjegjësi për krijimin e kushteve që e bëjnë të mundur vazhdimin e këtyre sulmeve.