Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Beogradi nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve. Duke komentuar zhvillimet e fundit, Vuçiç foli edhe për Nenad Rashkoviç, i cili ka pretenduar se është dhunuar nga Policia e Kosovës.
Presidenti serb i cilësoi këto pretendime si pjesë të asaj që ai e quajti gënjeshtra të tmerrshme që vijnë nga Prishtina, ndërsa kritikoi edhe heshtjen e ndërkombëtarëve. Ai theksoi se do ta vizitojë sërish në spital Nenad Rashkoviçin, ndërsa akuzoi Prishtinën për përhapjen e informacioneve të rreme.
Vuçiç u ndal edhe te debati për rrjedhën e lumit Ibër, duke thënë se ishte vënë në shënjestër nga mediat pranë opozitës. Vuçiç nuk i kurseu kritikat ndaj Prishtinës dhe ndërkombëtarëve, duke pretenduar se synimi është dobësimi i lidhjeve të serbëve të Kosovës me Beogradin.
“Ata duan të shohin një Kosovë të pavarur me çdo kusht dhe duan të ushtrojnë sa më shumë presion mbi Serbinë që ajo ta njohë një Kosovë të pavarur. Kjo nuk do të ndodhë pavarësisht se sa i madh është presioni. Dje ata shpikën një histori se si serbët luftuan me njëri-tjetrin. Unë do ta vizitoj sërish në spital Nenad Rashkoviç. Jam i tmerruar nga gënjeshtrat që vijnë nga Prishtina. Dhe çfarë heshtjeje monstruoze nga e ashtuquajta bashkësi ndërkombëtare.
E patë se çfarë gjuetie nisi kundër meje kur përmenda diçka që ishte një ide legjitime boshnjake për të ndërtuar një hidrocentral të kthyeshëm pranë Ribariçit, i cili ndryshon pjesërisht rrjedhën e Ibrit. Dhe kjo është një ide nga 20, 30 vjet më parë. Pse? Sepse duhet të shtypësh çdo ide serbe të rezistencës në rrënjë. Sepse një serb nuk duhet të jetë serb. Sidomos një serb në Kosovë nuk duhet të jetë serb, ai duhet të jetë serbi i Rashiçit dhe Kurtit. Ai nuk duhet ta ketë Beogradin si kryeqytet, por Prishtinën dhe Tiranën e ndoshta Brukselin”, tha ndër të tjera Vuçiç
