Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar se gjashtë ushtarë izraelitë janë plagosur në incidente të ndara në Libani, në sfondin e përshkallëzimit të tensioneve me Hezbollah.

Sipas ushtrisë izraelite, dy ushtarë u plagosën rëndë pasi një raketë antitank u lëshua drejt tyre në jug të Libanit gjatë pasdites së djeshme. Në një incident tjetër, tre ushtarë të tjerë mbetën të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një dron ra pranë tyre. Ndërkohë, një ushtar i gjashtë u plagos si pasojë e një aksidenti operacional. Të gjithë të lënduarit janë transportuar në spital për trajtim mjekësor.

Përshkallëzimi i fundit i luftimeve vjen pasi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, ka ndërmarrë sulme me raketa në veri të Izraeli, si kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në rajon. Sipas autoriteteve libaneze, mbi 1,000 persona janë vrarë në Liban që nga fillimi i përshkallëzimit.

Nga ana tjetër, Izraeli ka bërë të ditur se synon të marrë kontrollin e një pjese të konsiderueshme të jugut të Libanit në kuadër të operacioneve kundër Hezbollah. Ky zhvillim rrit frikën për një përhapje më të gjerë të konfliktit dhe për destabilizim të mëtejshëm të rajonit.